EULEX: Hetimet ndaj Lumezit, të paanshme dhe profesionale

Akuza ndaj kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi se kishte falsifikuar provimin e jurisprudencës doli e pavërtetë.

Lajme

16/11/2017 11:52

Prokuroria Themelore në Prishtinë nën monitorimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX kreu hetime të cilat rezultuan se Lumezi nuk e kishte falsifikuar provimin.

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me zyrën për media të EULEX-it. Këta të fundit deklaruan se janë të kënaqur me përfundimin e hetimeve pasi sipas tyre ishin të paanshme dhe profesionale.

“Prokurori i EULEX-it është i kënaqur që hetimi mbi pretendimet lidhur me provimin e jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës është kryer në mënyrë profesionale dhe të paanshme. Prokurori i EULEX-it është i mendimit se hetuesit e Policisë së Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë përfunduar një hetim të pavarur dhe të paanshëm”, thuhet në përgjigjën e EULEX-it.

Kujtojmë se Lumezi akuzohej nga ish-rektori i Universitetit të Prishtinës dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani se e kishte falsifikuar provimin e jurisprudencës./Lajmi.net/