Eto’o: Mourinho është kukull

Sulmuesi Samuel Eto’o ka bërë një sulm të ri ndaj menaxherit të tij nga Chelsea, Jose Mourinho. Ylli kamerunas thotë se portugezi është thjesht një kukull.

Sport

21/05/2014 00:46

Samuel Eto’o ka sulmuar sërish menaxherin e tij nga Chelsea, Jose Mourinho.

Sulmuesi kamerunas kurrsesi nuk është duke ia falur portugezit komentet e bëra në drejtim të tij gjatë sezonit të sapo përfunduar kur ai tha se: “Eto’o? Nuk e di nëse është 33 ose 35-vjeç”.

Eto’o i cili do të jetë futbollist i lirë në fund të muajit të ardhshëm dhe pritet të largohet nga Chelsea, më herët gjatë këtij muaji e sulmoi Mourinhon duke e quajtur “idiot”, dhe insistoi se ndihet shumë mirë dhe është në gjendje të më të mirë fizike se shumë futbollistë më të rinj se ai në moshë.

Kurse, tani, gjatë një interviste për uebfaqen e Konfederatës së Futbollit të Afrikës (CAF), ai ka thumbuar sërish Mourinhon duke e quajtur: “Kukull”.

“Dashuria ime me futbollin është larg nga përfundimi”, u shpreh Eto’o i cili ka thënë se do ta vazhdojë karrierën në Angli, por nuk e ka përmendur emrin e klubit ku pritet të kalojë gjatë afatit kalimtar të verës.