Etja për pushtet dhe demokracia kosovare

Debati brendaopozitar i kohëve të fundit, ka shfaqur dallimet e mëdha në të kuptuarit e qeverisjes dhe pushtetit në një shtet demokratik, çfarë është Kosova.

Opinion

20/04/2016 14:12

Blerim Shala

Ata janë të etur për pushtet.

Kjo fjali – aktakuzë  (në fakt), u shfaq ditëve të kaluara në debatin plotë nerva që po ndodhë së fundit brenda radhëve të opozitës parlamentare, në fajësimin dhe arsyetimin e përfundimit të projektit politik të Opozitës së bashkuar.

Me këtë fjali, synohet diskreditimi i pozicionit politik që ka marrë një krah i opozitës.

Çka mbërrihet, realisht, me këtë qëndrim, është që të sipërfaqësohet edhe një herë, por kësaj radhe në një rrafsh krejt tjetër, në atë të dyluftimit opozitar, qasja politike që objektivisht, është në përplasje evidente, mbase, të pariparueshme, me politikën në një shoqëri demokratike.

Të marrësh si ‘mëkat vdekatar’, si një gabim fatal synimin e një partie politike për të qenë në pushtet, (në vijim të të qenurit ‘i etur për pushtet’), është njëlloj si t’ia marrësh për të madhe, një ekipi futbollistik që dëshiron ta fitojë një ndeshje, një tregtari që synon ta shesh mallin e vet dhe të fitojë para, një peshkatari që ia ka mësyrë të zë sa më shumë peshqi, një biznesmeni që mëton të ketë sa më shumë qarkullim të punës së vet dhe sa më shumë përfitime.

Krahasimet mund të vazhdojnë në pakufi, dhe secili prej nesh këtu mund të shtojë shembujtë e tjerë të cilët na tregojnë sa a pakuptimitë është që të provohet damkosja dhe damtimi i një subjekti politik në vend, sepse ja, dëshiron të marrë pushtetin.

Në demokracinë parlamentare, ku ka më shumë parti  (prandaj edhe flasim për pluralizmin partiak), rregullat e lojës, si në Kosovë dhe kudo në Botë ku është në fuqi ky sistem shoqëror, flasin për një cilësi qeverisëse, e cila duhet të jetë pasojë e një gare të barabartë midis subjekteve politike dhe liderëve të tyre. Nuk ka ndryshe. Në këtë mënyrë, pamundësohet monopolizimi politik, garantohet afati kohor i një qeverie, sanksionohet pra legjitimiteti dhe legaliteti i saj, dhe gjithsesi, mundësohet që një qeveri e pasuksesshme, të zëvëndësohet me një tjetër, e cila vjen në fuqi (në pushtet), pasiqë ka marrë mandatin prej qytetarëve, gjegjësisht prej votuesve.

Nuk mund pra të përdoren dhe të aplikohen nocionet e këtilla, të cilat e klasifikojnë si gabim të madh ‘etjen’, ‘urinë’ apo ‘lakminë’ për pushtet, sepse një parti, në demokraci, bëhet dhe funksionon, me një ambicje krejtësisht të arsyeshme për të qenë në krye të Qeverisë, sepse ndryshe, nuk mund të bëhet një përmirësim i cilësisë së politikës dhe të shoqërisë.

Partitë janë për të mbërritë në pushtet. Ato nuk janë OJQ, think-tank, media, shoqata bamirëse a humanitare, edhe pse ndër ne, shpeshherë përzihen detyrat dhe rolet në te dy krahët a te dy anët, kur më shumë qasje joqeveritare dhe analitike ka në entitetet politike dhe anasjelltas.

Por duket që kjo fjalia e fillimit të këtij shkrimi, më shumë tregon për dallimet thelbësore në të kuptuarit e politikës dhe të idesë së ndryshimit të gjendjes në shoqëri, në rradhët opozitare, se të gjitha fjalët që janë thënë javëve të fundit.

Nëse synohet deklasimi politik i një ane opozitare me këtë fjali, kjo nënkupton edhe diferencat e patejkalueshme në të kuptuarit e qeverisjes dhe pushtetit në një shtet demokratik, çfarë është Kosovës.

Politika e cila nuk është ‘etje për pushtet’, synonë në këtë rast të jetë një bashkim i politikës me moralin, një krijesë sipërore që certifikon dëlirësinë politike dhe patriotike, që ndërhynë në fushën politike me fanatizëm kundër pragmatizmit politik, me prerjet dhe veçimet e pandreqshme midis partive, në vend të dialogut midis tyre, me kompromitin e idesë së një konsensusi minimal për vlerat dhe synimet që i ka dhe duhet t’i ketë një shoqëri dhe një vend.

Politika e kësisojtë pra, objektivisht, e mendon pushtetin si një mekanizëm final për ta ‘prodhuar’ një shoqëri dhe një vend të ri, në vend të shoqërisë ekzistuese kosovare dhe shtetit ekzistues të Kosovës.

Në Kosovë, në politikën kosovare, e tillë çfarë është sot, gjithsesi me të meta të shumta, me një kualitet i cili është akoma shumë mbrapa atij që duhet të mbërrihet nëse njëmend dëshirojmë një ecje para substanciale të shtetit të Kosovës, pushteti merret me votën e lirë të qytetarëve dhe humbet në të njejtën mënyrë.

Nuk ka dhe nuk duhet të ketë mënyrë tjetër. Ndërsa dinamika e mbajtjes së zgjedhjeve gjithmonë mund të jetë temë e dialogut politik në vend.