Eskodi i ’99, sakrificë e vetëdije historike

Kukësi të mërkurën bëri bashkë dy qeveritë, atë të Kosovës dhe të Shqipërisë, për të kujtuar eksodin e vitit 1999 të kosovarëve për shkak të luftës që shpërtheu atëbotë.

Lajme

16/04/2014 12:47

Në përvjetorin e 15 të eksodit të vitit 1999, Qeveritë e Kosovës dhe e Shqipërisë përkujtuan një ndër ngjarjet më tragjike të Kosovës.

Ministra të dy qeverive, kanë pranuar dhe aprovuar të mërkurën në Pallatin e Kulturës në Kukës në konferencën “Nga eksodi tek partneriteti strategjik” thellimin e bashkëpunimit dhe angazhimet e tyre që do të kenë në të ardhmen bashkërisht.

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e takimit të 11 janarit midis Qeverive Shqiptare në Prizren, duke thënë se me ky takim kishte jetësuar vullnetin dhe angazhimin e shumë brezave.

“Pas 15 vjetësh, më 11 janar të këtij viti, ne arritëm të jetësonim vullnetin dhe angazhimin e shumë brezave për t’i dhënë udhë projekteve tona të përbashkëta”.

“Ne jemi të përgjegjshëm që fjalët për bashkëpunim duhen pasuar nga vepra dhe masa konkrete që synojnë përmirësimin e jetës qytetare”.

“Kanë kaluar veçse 3 muaj nga mbledhja e Prizrenit, dhe baza e bashkëpunimit tonë është pasuruar me marrëveshje të reja në fusha të rëndësisë parësore. Ne besojmë se bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal është një parakusht për akronimin e gjitha vendeve në rrjedhat euro-atlantike”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në fjalën e tij në Pallatin e Kulturës ku po qëndrojnë të dyja delegacionet, tha se ky përvjetor kujton vetëdijen historike dhe rrugën e gjatë e me sakrifica për të arritur deri në ditët e sotshme.

“Flet për vetëdijen tonë historike. Flet për atë se sa rrugë e gjatë e me sakrifica të mëdha kemi mundur të vijmë në atë pike, ku jemi sot. Së dyti, flet për atë se si popujt e vegjël me një vetëbesim të krijuar në histori mund ta formësojnë të ardhmen e tyre. Dhe për këtë, shembulli më i mirë është lufta e UÇK-së. Së treti, flet se pas mbledhjes së dy qeverive dhe pas nënshkrimit të partneritetit strategjik, u krijua një vizion strategjik se si mund të duket e ardhmja e bashkëpunimit”.

“Jemi këtu që të falënderojmë Kukësin dhe kukësjanët dhe çdo qytetar të Shqipërisë për këtë mikpritje vëllazërore në vitin 1999. Nga mbledhja e Prizrenit, kemi hapur një kapitull të ri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Kemi hapur një dimension të ri të bashkëpunimit midis qytetarëve tanë”, tha Hoxhaj.