“Eskobari i Ballkanit” lihet pas hekurave

Kelmend Balili do të qëndrojë në burg.

Lajme

17/01/2019 15:14

I ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit” doli këtë enjten para Gjykatës për Krimet e Rënda, ku u verifikua masa e sigurisë.

Më herët ndaj Balilit është caktuar masa e arrestit me burg, në mungesë. Dosja tashmë është dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prokuroria ka ngritur akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal, refuzim për deklarim të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale, ose veprimtarisë kriminale.

Kelmend Balili la ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës rreth orës 13:30, për t’u drejtuar për në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prokuror i dosjes ishte Eneid Nakuci, ndërsa gjyqtare Miliana Muça. Ndërsa Balili mbrohej nga avokatët Theodhori Sollaku dhe Baftjar Rusi.

Pas më shumë se dy vite në arrati, Balili u dorëzua në polici mëngjesin e së martës. Pasi u përcoll nga familjarët, Balili hipi në makinën tip Benz dhe iu drejtua vendit ku e priste kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, rreth 2 kilometra nga fshati Stjar, pranë vendit të njohur si ish-pularia./tvklan.al