“Eskalon” Shpend Ahmeti për festivalin në Gërmi, përplaset me qytetarë në rrjete sociale

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk ka mundur të përmbahet nga atmosfera e festivalit Sunny Hill Festival, që u mbajt për tri netë rresht në parkun e Gërmisë.

Lajme

13/08/2018 08:46

I fundit nga më të njohurit që performoi në këtë festival, ishte DJ Martin Garrix, i cili njëherësh e përmbylli këtë organizim.

I pari i kryeqytetit, duke përdorur edhe fjalë joadekuate e ka cilësuar festivalin si më të mirën në Evropë.

“Festivali më i madh në Evropë”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.

Reagime e qytetarëve kanë qenë të ashpra. Njëri nga ta e ka kritikuar Ahmetin duke e cilësuar si “manjak”, dhe duke e pyetur “se a i ka kry të gjitha punët”.

“Asgje nuk perjashton asgje tjeter.  Prishtina eshte e te gjithëve”, ishte përgjigja e Ahmetit.

Por komentuesi ka vazhduar me kritika. Ai e ka akuzuar Shpend Ahmetin se po promovon koncerte ku shumica e qytetarëve nuk mund të shkojnë për shkak të çmimeve të larta.

Madje e akuzon edhe për gjuhën fyese të përdorur.

“Ne nje vend te varfer si Kosova, ku endrra e te rinjve eshte te largohet, ju promovoni nje koncert elitare qe shumica nuk kan pare me pa. Edhe me shume, ti perdore gjuhe te flliqt. Kjo nuk i pershtatet kryetarit te komunes aspak”, thuhet në replikën e komentuesit.

Në këtë postim të Shpend Ahmetit ka pasur edhe replika tjera, duke e cilësuar festivalin vend ku promovohet droga.

Ndryshe në këtë festival ka performuar në natën e parë edhe këngëtarja Dua Lipa.

Kurse gjatë mbrëmjes së të shtunës në Gërmi ishte arrestuar reperi Action Bronson për shkak të dyshimit se kishte dhezur marihuanë në skenë. /Lajmi.net/