Eshtrat e ushtarëve grekë; Bëhet gati infrastruktura për ekspertët që do të gërmojnë

Operacioni i kërkimit, gjetjes dhe rivarrimit të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke është duke përgatitur infrastrukturën teknike në fushën e Dragotit në Tepelenë.

Lajme

19/01/2018 23:32

Tre kabina kanë mbërritur në terren si financim i palës greke dhe janë duke u montuar nga një ekip i bashkisë së Tepelenës. Kabinat do të jenë mjedisi i punës për 6 ekspertë të palës greke, 6 të palës shqiptare dhe njëra do të shërbejë për anën teknike të operacionit.

Zona po kufizohet nga grupi i punës për të shënjuar edhe territorin ku pritet të fillojnë gërmimet të hënën. Konsulli grek dhe përfaqësues të palës greke vizituan terrenit ku po ngrihet infrastruktura paraprake ndërsa 10 punëtorë të bashkisë së Tepelenës do të kryejnë të gjitha gërmimet për zhvarrimin.

“Shkarkuam kontenierët dhe sot jemi marrë vetëm me vendosjen e tyre në terren. Më datë 23 fillojmë punën, me 10 punëtorë që janë të Bashkisë”, u shpreh Qemal Dani, kreu i misionit për bashkinë e Tepelenës.

Sistemimi i territorit do të vijojë edhe në fundjavë ndërsa pritet që infrastruktura në funksion të zhvarrimit të plotësohet me mjete përpara së hënës. Sipas marrëveshjes javën e ardhshme pritet që të gërmohet për rreth 80 varre të të rënëve greke në këtë luginë buzë Vjosës.