Eshtrat e Isa Boletinit do të rivarrosen pa nderime ushtarake

Më 10 qershor, eshtrat e heroit kombëtar Isa Boletini do të rivarrosen në fshatin e tij të lindjes, në Boletin të Mitrovicës, por pa nderime ushtarake.

Lajme

26/05/2015 21:31

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe pjesëtarët e FSK-së, por nuk do të jenë të pranishëm në vendin ku do të bëhet rivarrimi. Ata do ta bartin arkivolin e Isa Boletinit deri në Mitrovicë, ku do të jetë ceremonia qendrore, por jo deri në veri.

“Ndërsa pjesën tjetër, ku do ta bëjmë përcjelljen, Policia e Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in, nga stadiumi i qytetit deri në Boletin”, njofton Këshilli Organizativ, transmeton RTK.

Këshilli Organizativ për ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini, me propozimin e të dyja qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe me pajtimin e familjarëve të Isa Boletinit, me 13 maj 2015 pati marrë vendim që eshtrat e tij të rivarrosen në Vlorë, por vendimi u ndryshua pasi që familja e heroit dhe disa qytetarë kërkuan që rivarrimi të bëhej në fshatin e tij të lindjes. (lajmi.net)