Është vrarë terroristi më i kërkuar i FBI-së

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar se një nga terroristët më të kërkuar të saj, është vrarë gjatë një bastisje në shtëpinë e tij në Filipine, në muajin janar.

Bota

02/04/2015 10:07

Sipas FBI-së, terroristi i vrarë Zulkifli bin Hir ka qenë anëtar malajzian i grupit “Jemaah Islamiah”, i cili ka lidhje me rrjetin terrorist Al Qaeda.

Departamenti amerikan i Shtetit kishte ofruar pesë milionë dollarë për arrestimin bin Hir, i cili ishte përgjegjës për sulme të shumta me bomba në Filipine, por mbet i vdekur gjatë përleshjes me militantët islamistë në janar të këtij viti, ku u vranë edhe 44 komando të policisë filipinase.

Në këtë përleshje kaotike, pak gjë kishte mbetur nga trupi i Bin Hir, por një gisht i tij u dërgua për analizën e ADN0së në Shtetet e Bashkuara, dhe rezultati është se ajo (analiza e ADN-së) përputhet me ADN-në e vëllait dhe motrës së tij.

Tre vjet më parë, ushtria filipinase kishte raportuar se gjatë një sulmi ajror kishte vrarë shumë të kërkuarin Bin Hir, por ai u shfaq përsëri vitin e kaluar në Mindanao, nën mbrojtjen e grupit të quajtur Moro – Frontit Çlirimtar Islamik.