Është vonuar ligji për viktimat civile

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi vlerëson se Ligji për Viktimat Civile është vonuar shumë. Në këtë ligj janë të përfshira edhe kategoria e grave të dhunuara gjatë luftës. Vjet ishte debatuar ashpër për këtë çështje, por ën seancën e kaluar teksa po debatohej për

Lajme

16/03/2014 15:03

Të enjten e kaluar deputetët e Parlamentit të Kosovës miratuan Projekligjin për Veteranët e UÇK’së. Një çështje tjetër që ndërlidhet me luftën, e që është debatuar një vit më parë shumë në Kuvendin e Kosovës, janë viktimat civile të cilët pësuan dhunë seksuale.

Kur një vit më parë kjo çështje u aktualizua,  u polemizua ashpër. Kjo kategori , pritet që të përfshihet në ligjin për viktimat civile të luftës. Por teksa të enjten po debatohej për veteranët e luftës, askush nuk i përmendi çështjen e viktimave të dhunuara.

Deputetja, Donika Kadaj-Bujupi thotë se nuk kategoria e grave të dhunuara do të përfshihet në Ligjin për viktimat civile, e ky ligj sipas saj është vonuar shumë.

“15 vjet pas lufte, të njëjtat veçse është dashur që të gëzojnë të drejtat për rehabilitim, të kenë një përkrahje nga shteti, dhe tashmë kjo [gjë] të ishte një kapitull i mbyllur”.

“Mendoj se nisma e tanishme është vonë, por nganjëherë më mirë vonë se kurrë”, tha për Radio Evropa e Lirë, deputetja Kadaj-Bujupi.

Ndërkaq, deputetja e LDK’së, Vjollca Rexhepi thotë se është e gabueshme në aspektin moral që gratë e dhunuara akoma nuk janë të përfshira në ligje”.

“Në Kuvendin tonë, është debatuar më herët edhe për gratë e dhunuara dhe ato ende nuk janë pjesë e këtyre mbështetjeve që po u bëhen strukturave të tjera, siç janë veteranët, të burgosurit politikë dhe invalidët e luftës”.

“Moralisht nuk kemi të drejtë të mos i përfshijmë këto viktima civile të luftës në ligje, ashtu siç i kemi përfshirë të gjitha këto kategori që i përmenda”.

Rexhepi, duke folur për Radio Evropa e Lirë ka thënë se subjekti i saj politik përkrahë çfarëdo forme të kompensimit të kësaj kategorie të luftës.

Kujtojmë se më 7 mars, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka themeluar Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Ky këshill i themeluar me dekret presidencial, ka për qëllim që të bëj bashkërendimin e aktiviteteve të institucioneve por dhe agjencive të ndryshme, për të rehabilituar të mbijetuarit e viktimave të dhunës gjatë luftës.

Edhe pse Kosova ka dokumentuar rastet e dhunës seksuale gjatë luftës, akoma nuk ka një numër të saktë të këtyre viktimave, por besohet se mund të jenë rreth 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.