Është herët të flitet për kryetarin e ri të LDK-së

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, është shprehur kritik ndaj koalicionit me AAK-në dhe Nisma-n, por kur flitet për problemet e brendshme eventuale në parti dhe pretendimet për kryetar, ai thotë se LDK e ka kryetarin. 

Lajme

28/06/2014 00:07

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i ka humbur dy palë zgjedhje radhazi, ato për kryetar të Prishtinës dhe parlamentaret. Kjo ka bërë që anëtarë nga struktura të ndryshme të partisë, të fillojnë të kërkojnë përgjegjësi nga lidershipi, për rezultatin humbës në zgjedhjet e fundit.

Në analizat që i bëhen situatës së pas zgjedhjeve të 8 qershorit, vlerësohet se, Isa Mustafa, duke u ngutur të bëjë koalicion paszgjedhor me AAK-në dhe Nisma-n, ku LDK-së, si parti më e madhe e këtij koalicioni i jepet vetëm posti i spikerit të Kuvendit, ka arritur fitore në frontin tjetër. Atë të brendshëm, ku ka shpëtuar vetën, duke ja bërë të mundur të qëndrojë në krye të partisë. 

Por tani nuk janë pak ata që janë kundër këtij koalicioni. Përveç të tjerëve dhe Eqrem Kryeziut, i cili sot dha dorëheqje nga të gjitha funksionet e partisë, duke shprehur pakënaqësi edhe me vendimin për koalicion me AAK-në dhe Nisma-n, kundër është edhe Arben Gashi. 

Gashi, deputet i legjislaturës së kaluar të Kuvendit dhe i asaj të ardhshmës, dikur këshilltar i ish kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, tani shprehet kundër vendimit të shefit të tij për koalicionin, por kur është puna për partinë, ai thotë se LDK e ka kryetarin.

Ndërsa për reformat në parti, Gashi në një prononcim për lajmi.net, thotë se ende është herët të flitet për këtë temë, pasi sipas tij, përpara janë tema shumë më të rëndësishme.

“Tani jemi një fazë ku duhet të konstituojmë Kuvendin dhe të formojmë institucionet tjera. Për zgjedhjet e ardhshme në LDK, të cilat ende nuk e dimë a do të mbahen në vjeshtë apo jo, do të vijë koha kur ne do t’i paraqesim dhe shprehim mendimet dhe idetë tona, por ato do t’i bëjmë brenda organeve të partisë e jo nëpër gazeta”, ka thënë Gashi. (lajmi.net)