Erza Muminoviq e bronztë në Kupën Evropiane në Zagreb

Erza Muminoviq po vazhdon të tregojë paraqitje të shkëlqyeshme në Kupat Evropiane për Kadet.

Sport

10/03/2018 20:48

Ajo sot fitoi medaljen e bronztë në kategorinë 44Kg në Kupën Evropiane që po mbahet në Zagreb.

Në një konkurrencë të fortë prej 27 garueseve, Erza arriti të dëshmojë cilësinë e saj në këtë turne që njihet si gara më e vlefshme për të shfaqur potencialin e mundshëm.

Erza garën e filloi me fitore me Ippon kundër garueses nga Polonia Aleksandra Polkowska dhe garueses franceze Lea Metrot ,të cilën e mposhti me Wazari.

Në gjysmëfinale u takua me Kampionen Evropiane U18,kroaten Viktorija Ana Puljiz ndaj së cilës pësoj humbje.

Në ndeshje për medalje të bronztë, Erza u rikthye fuqishëm duke e mposhtur me Ippon për më pak se 2 minuta garuesen nga Gjermania, Jule Ziegler.

Për Erzen kjo është medalja e dytë këtë vit dhe ajo momentalisht është e radhitur në top 5 garueset në ranglistën olimpike për Lojërat Olimpike për të reja,Buenos Aires 2018.

Medaljet në kategorinë 44Kg i ndau Kampionia jonë olimpike Majlinda Kelmendi.