Erërat e fuqishme kanë shkaktuar 100 prishje brenda ditës

Erërat e forta dhe të reshurat që kanë përfshirë vendin nga dita e premte shkaktuan shumë prishje në rrjetin e distribuimit të energjisë elektrike.

Lajme

02/02/2015 18:09

KEDS thotë se vetëm gjatë ditës së premte rreth 100 prishje kanë qenë në linjat e tensionit të mesëm, ndërsa numri i prishjeve në nivelin e tensionit të ulët ka qenë edhe më i madh.

“Prishje të shumta ka pasuar edhe gjatë vikendit. Sipas informatave nga terreni, si pasojë e këtyre kushteve të rënda atmosferike janë shkaktuar edhe dëme në shtëpi dhe objekte tjera”.

“Falë vullnetit të pashoq dhe përkushtimit maksimal të ekipeve tona në terren, si dhe mobilizimit të ekipeve shtesë në këtë situatë të krijuar emergjente, ne arritëm rekordin e radhës duke rregulluar më se 90 për qind të prishjeve brenda më pak se 24 orëve”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

“Fatkeqësisht, prishjet janë të vazhdueshme, sidomos në zona malore, madje në disa sosh intervenimi është i pamundur për shkak të motit të lig dhe pamundësisë së transportimit të pajisjeve. Në disa raste edhe qasja për individë është e pamundur për shkak të bllokimit të rrugëve”.

“Ekipeve të prishjes në KEDS u janë bashkuar edhe ekipet e mirëmbajtjes dhe punë e palodhshme është duke u bërë gjatë 24 orëve me qëllim të normalizimit të furnizimit me energji elektrike”.

“Luten të gjithë qytetarët të lajmërojnë prishjet në Qendrën e Thirrjeve të KEDS, (në telefonat 038 501 701 1000; 038 791 000), me qëllim që intervenimi të bëhet në kohën sa më të shkurtër. Ndërsa, falënderojmë të gjithë ata që kanë ndihmuar ekipet e KEDS në këto ditë të vështira. Këtë herë, si edhe herën e kaluar kur u përballëm me kushte të ngjashme atmosferike, rregullimi i disa prishjeve do të ishte i pamundur pa përkrahjen dhe ndihmën e qytetarëve”.

“Në anën tjetër, vazhdojmë të jemi në gjendje të plotë gatishmërie për t’u përballur me të gjitha problemet në mënyrën më profesionale dhe më të shpejtë të mundshme dhe falënderojmë edhe ekipet tona që edhe njëherë dëshmuan se janë në shërbim të qytetarëve edhe në këto kushte të rënda atmosferike”, thuhet në fund të këtij njoftimi.