Erdogan: Sulmi në Ankara, me qëllim që ta prishë qetësinë në Turqi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka dënuar sulmin me bombë të ndodhur sot, nga i cili humbën jetën 30 persona dhe u plagosën mbi 100.

Bota

10/10/2015 14:06

Erdogan në reagimin e tij pas sulmit, këtë akt e ka cilësuar si barbarë i cili, sipas tij, ka për qëllim të prishë qetësinë në Turqi.

“Jam trishtuar kur mësova këtë sulm barbarë në stacionin e trenit në Ankara ku humbën jetën shumë qytetarë të vendit tonë”.

“Dënoj ashpër këtë sulm barbarë i cili është b bërë për të prishur unitetin dhe qetësinë e vendit tonë. Ne jemi kundër çdo organizate terroriste apo akti terrorist, pa bërë dallime burimi, synimi apo emri. Jemi të prirur të jemi të gjithë së bashkë kundër këtyre sulmeve. Ata të cilët veprojnë me standarde të dyfishta janë ata që i japin ndihmën më të madhe organizatave terroriste dhe sulmeve të tyre”.

“Nuk ka asnjë dallim mes sulmeve terroriste të më parshme ndaj ushtrisë, policisë, popullatës civile, rojeve të sigurisë me sulmin e sotëm. Ne si popull, veçanërisht; partitë politike, shoqëria civile dhe media duhet të qëndrojmë me një sensibilitet përballë këtyre sulmeve”.

“Qëndrimi jonë i përbashkët dhe i palëkundur kundër këtij sulmi do të jetë përgjigja më kuptimplotë që i japim organizatave terroriste dhe sulmeve të tyre. Synimi i këtij sulmi është të fusë në një përplasje shtresa dhe grupime të ndryshme të shoqërisë. Në këtë kontekst ftoj çdokënd të tregojë sjellje të kontrolluar dhe të ndjeshme ndaj këtyre ngjarjeve. Shteti jonë është duke punuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Jam i bindur se në një kohë shumë të shkurtër personat përgjegjës do të vihen përpara drejtësisë. Unë shpreh mëshirën e Allahut për të vdekurit dhe ngushëllimet për familjarët që humbën të afërmit e tyre në sulmet”, shprehet Erdogan, raporton Anadolu Agency.