Erdogan porosit BE-në të mos përzihet në punët e regjimit të tij

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se bastisjet e fundjavës kundër mediave opozitare janë përgjigje ndaj “operacioneve të pista” të armiqve politikë.

Bota

15/12/2014 16:36

Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të mos ndërhyjë, pasi që kjo e fundit reagoi ndaj arrestimeve më të fundit të kryera nga ana e regjimit të Erdoganit, raporton REL.

Së paku 24 persona janë arrestuar të dielën. Ata akuzohen për formimin e një organizate të paligjshme dhe për komplot për të marrë kontrollin e shtetit.

Bastisjet janë kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

 “Bastisjet e policisë dhe arrestimet e një numri të gazetarëve dhe përfaqësuesve të mediave në Turqi janë në kundërshtim me lirinë e mediave, e cila është parim bazë i demokracisë”, ka thënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje autoriteteve turke që të sigurojnë se aksionet e tyre nuk shkelin lirinë e mediave dhe vlerat e tjera demokratike.

Policia turke ka thënë se të arrestuarit kanë lidhje të afërta me klerikun islamik, Fethullah Gulen.