”Erdogan mund t’i tërheq turqit nga qeveria Haradinaj”

Drejtuesi i koalicionit të organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim" , Ismet Kryeziu, nuk e përjashton mundësinë që presidenti turk Recep Tayyip Erdogan të ndikojë në vendimin e turqve të Kosovës për qëndrimin ose jo në ekzekutivin e vendit.

Lajme

01/04/2018 19:42

Në ditët në vijim do të kuptohet vendimi i Partisë Demokratike Turke të Kosovës rreth kësaj çështje.

“Mbetet të shihet në javët në vazhdim, cili do jetë reagimi i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), a do dalin dhe këta nga qeveria si Lista Serpska.!?”, shkruan kryeziu në Facebook.

“Do të shohim nëse zhvillimet e fundit kanë ndërveprim dhe janë në një linjë me të gjerë të një politike bashkëvepruese mes Vuqiqit edhe Erdoganit. Zhvillime përmes të cilave po inskenojne situata dhe po kërcënojnë e po tentojnë të shantazhojnë qeverinë dhe Republikën e Kosovës, duke keqpërdorur edhe pakicat kombëtare të tyre që janë pjese e qeverisë së Kosovës”, thekson ai.

“Ne përplasjet e politikave globale ne s’duhet të sillemi si të pa kokë. Është e rëndësishme që politikat tona mos të jenë veprime ad hok, ditore dhe në kundërshtim me vlerat perëndimore”, përfundoi ai.

Presidenti turk Erdogan e ka kërcënuar kryeministrin kosovar se do të jap ‘llogari’ pas vendimeve të tij për shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe shefit të AKI’së. Kjo pas dëbimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq.