Erdogan: Mbrojtja e Jerusalemit detyrë e gjithë njerëzimit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi sot në Ankara se mbrojtja e statusit ligjor të Jerusalemit nuk është detyrë vetëm e muslimanëve, por e gjithë njerëzimit.

Bota

07/12/2017 09:31

Erdoan, në prag të nisjes për vizitë zyrtare në Greqi, u tha gazetarëve në Ankara se po vazhdon bisedimet me udhëheqësit nga e gjithë bota në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.

“Unë vazhdoj me bisedat telefonike. Nuk bëhet fjalë për biseda vetëm me udhëheqësit e vendeve islame. Unë kam kërkuar të bisedoj edhe me Papën dhe do të flasim sonte ose nesër në mëngjes, sepse bëhet fjalë për një vend të rëndësishëm edhe për krishterët. Unë do të flas edhe me Putinin e nderuar dhe me udhëheqësit e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Spanjës. Arsyeja për këtë është se kjo nuk është më vetëm detyrë e muslimanëve, por detyrë e mbarë njerëzimit”, tha Erdogan.

Presidenti turk porositi presidentin Trump se hapi që ai bëri ka shtyrë Lindjen e Mesme në zjarr.

“Krerët politikë nuk janë për të nxitur, por për të qetësuar”, tha Erdogan. /aa/