Erdogan: Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë të shtypurve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pritur në një takim në rezidencën presidenciale në Ankara fëmijët e ardhur nga vende të ndryshme për të marrë pjesë në aktivitetin ndërkombëtar me rastin e Festës së Fëmijëve e cila organizohet për të 39-ën herë nga Radiotelevizioni i Turqisë (TRT), raporton Anadolu Agency (AA).

Bota

20/04/2017 17:21

Në një fjalim të mbajtur presidenti Erdogan është shprehur se “Çdo vdekje është e parakohshme, por vdekja e një fëmije me të vërtetë është shumë e parakohshme. Ne dëshirojmë që fëmijët të jetojnë, dëshirojmë të jetojnë që kur të rriten të ofrojnë kontribut për ndërtimin e një bote edhe më të bukur. Dhe më e rëndësishmja është se ne nuk dëshirojmë që fëmijët vetëm të jetojnë, por dëshirojmë që ata ta ndiejnë veten të sigurtë, dhe të kenë mundësinë që të marrin çdo lloj shërbimi, që nga nga ushqimi, veshja e deri tek shëndetësia dhe arsimi. Për këtë arsye kemi nevojë për mbështetjen tuaj. Duke filluar nga prindërit dhe mësuesit tuaj të kërkoni nga të gjithë më të mëdhenjtë në vendet tuaja që të jenë më të ndjeshëm në çështjen e problemeve që jetojnë fëmijët në botë. Të jeni të sigurtë nëse ju i kërkoni këto ato do të realizohen.”

Gjithashtu në fjalën e tij Erdogan ka shtuar se “Nëpërmjet institucioneve tona të ndryshme publike dhe të shoqërisë civile ne kryejmë aktivitete të ndihmave, arsimore dhe shëndetësore për fëmijët në shumë vende. Në mesin e të gjithë donatorëve në botë Turqia është e dyta pas Amerikës, por kur ne e vlerësojmë në raport me produktin kombëtar bruto Turqia ndodhet në vendin e parë. Sepse ne jemi të pikëlluar. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë të shtypurve dhe viktimave.”

Duke vënë në dukje se 23 prilli është dita e gëzimit, entuziazmit dhe solidaritetit për të gjithë fëmijët në botë Erdogan ka vlerësuar se “Por fatkeqësisht edhe këtë vit në vende të ndryshme të botës dhjetëra mijëra fëmijë nuk e gjetën mundësinë të shikonin 23 prillin. Madje edhe nga data e sotme 20 prill e deri më 23 prill mund të ketë fëmijë që do të përballen me fatkeqësi dhe dhimbje.”

“Ne si Turqi revoltohemi kundër kësaj padrejtësie. Kryejmë punime të rëndësishme si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ne kemi hapur dyert dhe krahët për 3 milionë refugjatë nga Siria dhe Iraku nga të cilët një pjesë e madhe e tyre janë fëmijë. Në botë nuk ka shembull tjetër të kësaj. Ne kemi marrë përsipër të gjithë kujdesin ndaj tyre, madje interesohemi edhe për arsimin e tyre, dhe eliminojmë të gjitha problemet që ato kanë në çështjet shëndetësore. Dhe për këtë ne deri tani në këto 6 vite kemi bërë një investim prej 25 miliardë dollarë. Fatkeqësisht nga Bashkimi Evropian na ka ardhur një ndihmë vetëm prej 725 milionë dollarë, si dhe 550 milionë dollarë nga Komisionieri për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara” ka theksuar Erdogan.