Erdogan do rishikim të Lozanës, presidenti grek thotë ajo nuk preket

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se ka disa hollësi që ende nuk janë kuptuar për sa i përket Traktatit të Lozanës.

Bota

07/12/2017 14:32

“Për sa i përket Traktatit së Lozanës, unë mendoj se ka disa hollësi që ende nuk janë kuptuar”, tha presidenti turk në një deklaratë në takimin me homologun grek Prokopis Pavlopoulos gjatë vizitës së tij zyrtare në Greqi, duke iu referuar bllokimit që qeveria greke i bën minoritetit musliman turk për të zgjedhur kryemyftitë lokalë, gjë që presidenti turk e cilësoi si në kundërshtim me këtë traktat.

“Si mund të themi që Traktati i Lozanës është duke u praktikuar. Në këtë rast, nuk është duke u praktikuar”, shtoi Erdogan, raporton Anadolu Agency.

Erdoğan tha se të ardhurat kombëtare të Greqisë për frymë janë më të larta në krahasim me ato në Trakinë Perëndimore, duke shtuar se minoritetit turk në këtë rajon nuk i ofrohet mbështetja e nevojshme për investime.

“Kur shikoni të ardhurat kombëtare të deklaruara të Greqisë për frymë, ato janë rreth 18 mijë dollarë, ndërsa të ardhurat për frymë në Trakinë Perëndimore janë rreth dy mijë e 200 dollarë”, tha presidenti turk.

Ai shtoi se në Turqi nuk ekziston asnjë diskriminim ndaj qytetarëve grek, përfshirë edhe çështjen e adhurimeve fetare, ndërkohë që, siç theksoi, “në Trakinë Perëndimore nuk tolerohet as shkrimi i fjalës ‘turk'”.

Nga ana e tij, edhe Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos bëri thirrje për më shumë bashkëpunim mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë që Greqia të jetë porta hyrëse e Turqisë për në BE, por kur u cek Traktati i Lozanës, ishte i prerë.

“Kjo është dhe duhet të mbetet një vizitë historike për dy vendet, por edhe për rajonin. Dy vendet i lidh miqësi e vjetër. Jemi të gatshëm të jemi porta e Turqisë drejt Bashkimit Europian. Duhet të kemi respekt për të drejtën ndërkombëtar, siç edhe respekt për standardet e arritura europiane. Respektimi i Traktatit të Lozanës është zgjidhja e vetme për paqen në rajon”, tha Pavlopulos.

Ndryshe, çështja e zgjedhjes të myftive ka qenë problem i pakicës muslimane turke të Greqisë, e përqendruar në rajonin e Trakisë Perëndimore, që nga viti 1991.

Zgjedhja e myftive nga myslimanët në Greqi u mbulua nga Traktati i Athinës i vitit 1913 ndërmjet Greqisë dhe Perandorisë Osmane dhe më pas u përfshi në Aktin Grek 2345/1920, para krijimit të Republikës së Turqisë.

Traktati i vitit 1923 i Lozanës gjithashtu garanton liritë fetare të pakicës muslimane në Greqi.

Megjithatë, Greqia anuloi Aktin Grek në vitin 1991 dhe filloi të emërojë vetë myftitë.

Shumica e turqve muslimanë në qytetet Komotini dhe Xanthi nuk i njohin myftitë e emëruar dhe në vend të tyre zgjedhin myftitë e vet, por këto të fundit nuk njihen nga shteti grek.

Përkundër kësaj situate, myftitë e emëruar në Traiknë Perëndimore vazhdojnë të kenë autoritetin për të gjykuar në çështjet familjare dhe trashëgimore të muslimanëve vendas.

Turqia ka kohë që i është ankuar Greqisë dhe Bashkimit Evropian për diskriminimin ndaj pakicës turke në Trakinë Perëndimore, duke thënë se kjo gjendje është në kundërshtim me traktatet e zbatueshme dhe ligjin e BE-së.

Në rajonin e Trakisë Perëndimore të Greqisë jetojnë rreth 145 mijë turq muslimanë.