Erdogan dhe Hollande shprehen të vendosur në luftën kundër terrorizmit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan me telefon ka biseduar me homologun e tij francez, Francois Hollande, të cilit i shprehu ngushëllime me rastin e sulmeve të mbrëmshme terroriste në Paris, ku humbën jetën 127 persona.

Bota

14/11/2015 15:50

Erdogan me këtë rast tha se Turqia qëndron pranë Francës dhe se populli turk ndan dhimbjen me francezët. Presidenti i Turqisë theksoi se terrorizmi nuk njeh komb dhe shtet.

Gjatë bisedës, të dy liderët shprehën vendosmërinë dhe bashkimin në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti francez, paraprakisht njoftoi se, pas sulmit të mbrëmshëm, nuk do të mund t’i bashkangjitet samitit G20 që mbahet nesër në Antalya.

Ai theksoi se në këtë takim do të jetë ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Laurent Fabius dhe ministri i Financave, Michel Sapin.

Paraprakisht, përgjegjësinë për këto sulme e mori organizata terroriste ISIS.

Të dy liderët theksuan se do të takohen më 30 nëntor në Paris, kur parashikohet të mbahet Konferenca e OKB-së për ndryshimet klimatike.