Erdogan dënon ashpër vullnetin e Iranit për të dominuar në rajon

Presidenti konservator turk, Erdogan kritikoi ashpër aktivitetet e Iranit në Jemen, ku Arabia Saudite dhe vendet aleate kanë ndërmarrë një ndërhyrje ushtarake kundër rebelëve shiitë të mbështetur nga Teherani, duke dënuar një vullnet dominimi iranian në rajon.

Bota

26/03/2015 23:58

“Ne mbështesim ndërhyrjen e Arabisë Saudite në Jemen”, iu përgjigj gazetarëve presidenti turk, cituar nga agjencia e lajmeve Anadolu Agency.
“Irani po rrit përpjekjet për të dominuar në rajon. Si mund të tolerohet kjo”, theksoi ai, para se ti kërkonte Iranit, vend fqinj i Turqisë, të tërheqë të gjitha forcat nga Jemeni, Siria dhe Iraku.
“Irani duhet të ndryshojë mentalitet (…) Reagimet e Iranit në rajon i kalojnë limitet e durimit. Këto aktivitete kanë shkaktuar një shqetësim të madh si tek sauditët ashtu dhe në vendet e Gjirit Persik”, shtoi Erdogan.
Në një intervistë të dhënë sot për stacionin televiziv “France 24”, presidenti turk theksoi se vendi i tij do të ofronte një “ndihmë logjistike” për Arabinë Saudite në veprimin e saj ushtarak në Jemen, pa dhënë detaje për natyrën e saktë të kësaj ndihme, transmeton ATSH.

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se katër anije luftarake të Egjiptit kanë kaluar nëpër kanalin e Suezit në rrugë për në bregdetin e Jemenit, për të siguruar gjirin e Adenit. Gjithashtu njoftohet se edhe dy anije lufte të SHBA-ve janë në afërsi dhe të gatshme për veprim, pasi Gjiri i Adenit paraqet një rrugë të rëndësishme për transportin e naftës.

Egjipti, Jordania, Sudani dhe Pakistani janë të gatshme të përfshihen në luftën në Jemen. Arabia Saudite dhe aleatët e saj nga Gjiri Persik kanë nisur sot ofensivën e bombardimit të caqeve të rebelëve Huthu, kurs televizioni Al Arabia njoftoi se Arabia Saudite ka nisur për në Jemen edhe 150,000 forca tokësore, pasi mendon se vetëm sulmet nga ajri nuk mjaftojnë për të mposhtur rebelët. Edhe Egjipti, Jordania, Sudani e Pakistani janë të gatshme të dërgojnë forca tokësore.