Era zgjedhje

Liderët e partive në pushtet i kanë shpeshtuar takimet e tyre me strukturat e partive nëpër komunat e Kosovës.

Lajme

26/01/2016 08:11

Një dalje e tillë në terren po shihet si përgatitje për zgjedhje, meqë e dinë se shumë shpejt do të organizohen zgjedhjet e parakohshme.

Zyrtarë të partive në pushtet e mohojnë një gjë të tillë, duke thënë se kjo është në vazhdën e konsolidimit të degëve nëpër komuna, por nuk ka të bëjë me zgjedhje, sepse ato janë në vitin 2018.

Mirëpo, analistët theksojnë se liderët e partive në Qeveri e dinë se tashmë zgjedhjet janë të pashmangshme, prandaj po e përgatisin elektoratin për një proces të tillë.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, mohon se organizimi i takimeve me strukturat e partisë nëpër komuna është paralajmërim për zgjedhje të reja.

Ai thotë për “Zërin” se takimi me struktura është në bazë të statutit, por jo që ka lidhje me zgjedhje që mund të mbahen para vitit 2018, kur edhe janë të parapara sipas ligjit.

Por, analisti Imer Mushkolaj thotë se zgjedhjet janë shuam afër, prandaj liderët e partive kanë filluar të kthehen tek elektorati.

Mushkolaj thotë se qysh moti ka filluar fushata.

Edhe analisti Fadil Lepaja thekson se psikoza e zgjedhje të jashtëzakonshme është më tepër e nxitur si kërcënim sesa si interes real i koalicionit.

Ndërsa ALbert Krasniqi nga KDI thotë se partitë politike në Kosovë nuk kanë lidhje të forta me anëtarësinë saqë gjatë mandatit nuk bie të dëgjojnë ndonjëherë udhëheqësit partiakë të përmendin ekzistencën e anëtarësisë./ Zëri