‘Era’ e një lufte që nuk ka çfarë të sjellë

Rreth 13 mijë e 500 burra e gra u vranë në luftën e Kosovës, 24 për qind e të cilëve ishin luftëtarë të armatosur, ndërsa pjesa tjetër civilë. Këto janë shifrat zyrtare, që shumëkush i di, por që mediet i publikuan edhe njëherë këtë fundviti.

Opinion

16/12/2015 09:42

Dhe m’u duk me vend ripublikimi i tyre, sot e gjithmonë, për të mos harruar. Derisa rilexoja këto shifra, jo të panjohura për mua, më erdhën edhe njëherë në mendje vitet e vështira të luftës, m’u shfaqën në sy pamjet e të vrarëve dhe të masakruarve nga serbët, shokët e rënë në luftë, por kujtova edhe ata mijëra njerëz të vrarë e ende të pagjetur, ata që sot nuk kanë një varr ku të prehen e ku të nderohen. Ishin viktimat e kësaj lufte, sakrifica dhe gjaku i tyre, që sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këta mijëra burra e gra sërish do ta jepnin jetën për Kosovën, për ta parë atë një vend të integruar evropian, me institucionet e saj, me dinjitetin e saj, një vend ku etnitë do të bashkëjetonin në paqe dhe ku urrejtja e dhuna do t’i takonin veç së shkuarës.

Por këto mendime m’i largon era e gazit lotsjellës që tash e sa javë na është bërë “racioni” i përditshëm në punën e Kuvendit. Në një kohë kur ligje të rëndësishme presin të miratohen, kur vendi ka nevojë për mendime e vendime të pjekura e të peshuara mirë, kolegët tanë të opozitës kanë zgjedhur të nxjerrin jashtë funksionit institucionin më të lartë të vendit, Kuvendin e Kosovës. Burra e gra, deputetë që janë zgjedhur nga populli për ta përfaqësuar atë, kanë harruar të flasin dhe po përdorin si të vetmin mjet komunikimi, atë, gazin lotsjellës. Nuk kursejnë askënd, nuk marrin parasysh pasojat, as ato shëndetësore për deputetët, dhe as ato për të ardhmen e vendit. Dikush mund t’u japë të drejtë veprimeve të tilla, por nuk mund të më thotë se një deputet që vjen në seancën parlamentare me gaz lotsjellës në vend të projektligjeve dhe ideve, e do vendin më shumë se ata që dikur luftuan dhe që sot punojnë për ta çuar përpara shtetin e Kosovës, në respekt të ligjit, Kushtetutës dhe marrëveshjeve të arritura nën kujdestarinë e BE-së. Nëse dikush mendon se kauzat e atyre që në vend të çantave mbajnë tymuese, janë tepër të rëndësishme për të lejuar Kuvendin të vijojë punën, gabon. Nëse ndonjë tjetër thotë se është bukur kur salla e Kuvendit ngjan me një arenë lufte, apo kur deputetët e partive parlamentare marrin rolin e anarkistëve, nuk e ka konceptin e drejtë mbi demokracinë.

Në një vend demokratik, vendimet merren në institucione dhe dhuna është e papranueshme. Kolegëve tanë më se një herë u është bërë thirrje të ulen në tavolinë bisedimesh e së bashku të diskutojmë çdo pakënaqësi e pretendim, por jo duke vënë kushte. Vënia e kushteve para uljes në tavolinë, e kompromenton thellë “kauzën” e opozitës, sepse nëse këto kushte (pra rrëzimi i marrëveshjeve për Asocacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi) plotësohen para se të ulemi në tryezë, atëherë për çka duhet të ulemi? Çfarë do të bisedojmë?

Dialog kërkon Qeveria, dialog kërkon Kuvendi, dialog kërkojnë edhe zyrtarët e BE-së dhe ata të SHBA-ve. Qartë e tha sekretari amerikan i shtetit, John Kerry. Dhe, mendoj se nëse qeveria e Kosovës është duke gabuar, nuk besoj se gabon administrata amerikane apo BE-ja, të cilat na mbështetën që në krye të luftës sonë. Situata që po përjetojmë është për të ardhur keq, nëse kujton se shumë nga deputetët e sotëm, dje kanë luftuar, shumë edhe u lënduan, u përndoqën e u burgosën për të njëjtin ideal. Sot vihen përballë njëri-tjetrit si të ishin armiq dhe nuk përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët. Pushtetin dhe opozitën e bashkon lufta, e bashkon sakrifica për një ideal, për këtë Kosovë që gëzojmë sot, për një Kosovë që nesër do të aderojë në NATO dhe BE, anipse disave, më sa duket vetëm për ambicie pushteti, po iu pëlqen të kthejnë edhe tash në fund të vitit 2015, erën e luftës, një luftë pa sens e pa krye, që përveç pengesave në rrugën euroatlantike të vendit, nuk ka çfarë të sjellë.

(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)