Epoka e Ekstremeve

Industria muzikore britanike do ta kujtojë vitin 2013 si vit të paradoksit. Dy formatet më të skajshme – pllakat e gramafonit dhe shërbimet muzikore online – shënuan rritje historike.

ShowBiz

07/01/2014 21:00

Shitja e pllakave të gramafonit në Britani, në vitin 2013 arriti nivelin më të lartë në 15 vitet e fundit.

Industria Fonografike Britanike (British Phonographic Industry) dhe Kompania e Top Listave Zyrtare (Official Charts Company) i kanë bërë të ditura shifrat për vitin e kaluar.

Në 2013 janë shitur 780.000 albume në formatin e pllakave të gramafonit.

Kjo është shitja më e madhe që nga viti 1997, kur ishin shitur 817.000 albume.

Në krahasim me vitin 2012, rritja është 101 për qind.

Rock bendi Arctic Monkeys është në vendin e parë me albumin AM, para Daft Punk me Random Access Memories dhe David Bowie me The Next Day.

Albumi më i shitur në 2013, duke marrë për bazë të gjitha formatet, është kompilacioni Now That’s What I Call Music 86, me 1.1 milionë kopje.

Vendin e parë në kategorinë e këngëtarëve/bendeve e zuri One Direction me Midnight Memories, që u shit në 685.000 kopje gjatë gjashtë javëve të fundit të vitit të kaluar.

Në 2012 e para ishte Emeli Sande, në 2011 Adele, kurse në 2010 Take That.

Single’i më i shitur i vitit u bë Blurred Lines i Robin Thicke & Pharrell Williams, pas të cilit u radhitën Get Lucky i Daft Punk dhe Wake Me Up i Avicii.

Shitja e albumeve në formatin digjital u rrit për 6.8 për qind, kurse pjesëmarrja e CD’ve në totalin e shitjes së albumeve pësoi rënie prej 12.8 për qind – nga 76.8 për qind në 2012, në 64 për qind në 2013.

Vitit 2013 ishte fantastik për shërbimet muzikore online.

Parapagimet e përgjithshme në shërbimet si Spotify dhe Deezer për herë të parë arritën në 100 milionë funte (120 milionë euro).

Të ardhurat e përgjithshme nga shitjet e muzikës në të gjitha formatet ishin 1 miliard funte (1.2 miliard euro).

A.M.

 

Arctic Monkeys – AM  (albumi i plotë)