Ende e paqartë e ardhmja e Termocentralit “Kosova e Re” – Lajmi.net
Ende e paqartë e ardhmja e Termocentralit “Kosova e Re”
Autori: Lajmi.net LajmeNacionale 17:32, 12 October 2018
Rreth 20 milionë euro do të paguante Qeveria e Kosovës në rast të dështimit apo tërheqjes nga marrëveshja me kompaninë “ContourGlobal” për ndërtimin e Termocentralit "Kosova e Re".

Kjo pagesë do të ishte një penalizim ndaj Kosovës në rast se nuk e respekton marrëveshjen tashmë të nënshkruar me kompaninë amerikane.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, thonë se Termocentrali “Kosova e Re”, do të jetësohet. Këshilltari për ekonomi në Qeverinë e Kosovës, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova nuk do ta prish marrëveshjen me “ContourGlobal”.

“Nuk ka disponim që Kosova të tërhiqet prej marrëveshjes me “ContourGlobal” për Kosovën e Re. Ne jemi të vendosur që të shkojmë përpara. I kemi dëgjuar disa qëndrime të Bankës Botërore para dy ditësh, por ne jemi të sigurt që kjo do të ndodhë, sepse jemi duke punuar dhe i kemi të sigurta edhe burimet alternative të kreditimit”, tha Shatri.

Arrihet marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”

Por, ndryshe mendon Bajram Hasani, i cili deri para disa javësh ishte Ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Hasani ishte edhe anëtar i Komitetit Ndërqeveritar për “Kosovën e Re”, komitet ky që ka marrë vendimin për nënshkrimin e kontratës.

Tërheqja e Bankës Botërore, sipas Hasanit, tregon se Kosova është vend i pasigurt për investime.

“Është lajm i keq, sepse aty jo vetëm që thuhet për shkak të energjisë alternative, mirëpo tregon edhe një pasiguri, se Kosova është një vend i pasigurt për investime dhe frika ose tash mundësia reale është që të dështojë komplet ky investim, sepse momentin që është tërhequr Banka Botërore, unë pres që të tërhiqen edhe institucionet tjera”.

“Nëse ky projekt dështon për çfarëdo arsye, po e themi problemet nga ana e Kosovës, por edhe nga kompania që e ka nënshkruar marrëveshjen, Kosova dëmtohet apo buxheti i Kosovës, diku 19.6 milionë euro, afër 20 milionë euro”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Dy ditë më parë, Banka Botërore ka njoftuar se nuk do ta mbështesë Termocentralin “Kosova e Re”, mirëpo zyrtarë të kompanisë “ContourGlobal”, kanë thënë se ky termocentral do të ndërtohet edhe pa mbështetjen e Bankës Botërore.

Vite më parë kjo bankë ka premtuarta lëshojë një lloj garancie të riskut që do t’ia mundësonte investitorit të marrë kredi me interes te ulët. Ende nuk dihet se si refuzimi i Bankës Botërore do të mund ta komplikonte procesin e marrjes së kredive në tregun ndërkombëtar financiar.

Për shoqërinë civile në Kosovë, më mirë do të ishte që Kosova të prishte marrëveshjen dhe të paguante dënimin.

Rinora Gojani, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se duke pasur parasysh çfarë dëme i shkakton buxhetit të Kosovës ndërtimi i një termocentrali të tillë, Qeveria duhet të tërhiqet, pasi që kjo kontratë që është nënshkruar,investitorit ia mbulon të gjitha kostot.

Humbjet kapitale të Kosovës

“Është shumë më e leverdishme që Qeveria e Kosovës të tërhiqet në këtë fazë dhe ta paguajë penalltinë, se sa të na fusë në një gjendje ose në një situatë, që ka kosto shumë më të madhe, dhe të cilën Qeveria e Kosovës e ka marrë përsipër. Kjo pastaj do t’u binte barrë qytetarëve për shkak se prodhimi i energjisë prej një termocentrali të tillë është shumë i shtrenjtë”, thotë Gojani.

Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, në fund të vitit të kaluar, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do kushtojë 1.3 miliard euro.

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO