Emocionet e ndeshjes me Kukësin dhe Kombëtarja, rrëfehet Ansi Agolli

Kukësi përballë Karabakut në turin e dytë kualifikues të Championsit, por edhe një derbi me Ansi Agollin, që te kampionët e Azerbajxhanit ka hyrë në vitin e nëntë të aventurës. Mbrojtësi veteran zbulon emocionet e sfidës ndaj veri-lindorëve, për atë që do të jetë përballja e parë me një ekip shqiptar në kupat e Europës.

Sport

20/07/2018 21:54

“Kam 9 vite që luaj me Karabakun në turet e kompeticioneve europiane, por kjo është hera e parë që do të luaj përballë një skuadre shqiptare. Është diçka mjaft e veçantë dhe emocionuese për mua, por edhe për familjen time, që përjeton bashkë me mua këto emocione”, deklaroi Agolli, transmeton SS.

Ndeshja e parë do të luhet më 25 korrik në “Loro Boriçi”. 35-vjeçari beson se tifozët kuksianë do ta presin mirë, jo vetëm Agollin, por edhe ekipin e Karabakut, pavarësisht se në fushë do të jetë një luftë për kualifikimin.

“Besoj dhe shpresoj se tifozët e Kukësit, siç presin çdo skuadër, do më presin edhe mua dhe skuadrën time mirë, pavarëisht se në fushë të dy ekipet do të kërkojnë të bëjnë më të mirën për kualifikimin”, tha Agolli.

Pavarësisht moshës së madhe, prej formës që ka shfaqur, por edhe prej problemeve që trajneri Panuçi ka për ta zëvendësuar denjësisht në krahun e majtë, Kombëtarja mbetet një temë e pashmangshme për ish-kapitenin. Ndryshe nga momentet e para pas lënies jashtë nga ekipi, tashmë Agolli lë të hapur mundësinë e rikthimit, nëse do të jetë e nevojshme.

“Të them të drejtën, është diskutuar mjaft kjo puna e kombëtares për mua dhe nuk kam asnjë koment të tepërt. Por mund të them se për respekt të asaj që kam dhënë për Shqipërinë, sa herë që do të më jepet rasti, do jem gati dhe do mundohem të jap më të mirën time për Kombëtaren”, mbylli deklaratën mbrojtësi kryeqytetas.