Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmojnë familjet në nevojë të Mitrovicës

200 pako ushqimore u janë ndarë familjeve në nevojë, të martën në Mitrovicë, në pjesën jugore.

Lajme

23/06/2015 12:06

Këto ndihma janë dhënë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një delegacion i të cilëve erdhi në Kosovë për marrëveshjen e Klinikës – Pediatrike në Kosovë.

Ata shprehën vullnetin për ndihmë dhe përzgjedhja e familjeve u bë përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, raporton lajmi.net.

Edhe pse ministri i këtij dikasteri, Arban Abrashi ka treguar në rrjetin Facebook se kanë ndarë ndihma për dikë, nuk ka dhënë detaje shtesë.

Ai ka thënë se është koha që këtyre njerëzve t’i zgjasim dorën, duke ju ofruar atë për çfarë kanë nevojë.

“Është përgjegjësi e shtetit, e shoqërisë dhe e secilit që ka mundësi, që përmes shembullit dhe ndihmës solidare, t’ju mundësohet këtyre njerëzve, një jetë me dinjitet. Kjo thirrje duhet të ndjehet si obligim për të gjithë. E dimë, që vullneti i mirë është i domosdoshëm, por i vetëm nuk mjafton. Duhet të përpiqemi të bëjmë më shumë”, ka shkruar ai.

Në fund ka falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe, Presidencën e Kosovës dhe Komunën e Mitrovicës për bashkëpunimin dhe iniciativën.(lajmi.net)