Emigrantët, folklori dhe debatet e dobishme

Kujt do t’ia kishte marrë mendja se do të kishte qenë pikërisht një federalist i spikatur, një prej shefave të atyre legistëve që kanë vite që na kanë çarë kokën lidhur me “territoret” mitike, mbi domosdoshmërinë e tyre dhe për të drejtat e tyre të patjetërsueshme, ai që do të na tregonte se në fakt, e mësipërmja vërtet vlen për “territoret”, por vetëm me një kusht: që të bëhet fjalë për “territoret” që drejtohen prej tyre?

Opinion

10/06/2015 08:01

Sqarimi, me të vërtetë i nevojshëm, i detyrohet Presidentit të Lombardisë, Roberto Maroni. I cili, tepër i irrituar që disa kryebashkiakë të vetë Lombardisë guxuan kundër paralajmërimit të tij që të shprehen të gatshëm të presin një numër të caktuar emigrantësh, nuk gjeti diçka më të mirë për të bërë, sesa t’i kërcënonte në çast se do t’iu hiqte komunave të tyre fondet rajonale. Si një prefekt i çfarëdollojshëm i Italisë centraliste të dikurshme.

Por nuk na falet që ky folklor i federalizmit italian të na shërbejë për të bërë vesh të shurdhët mbi çështjen që rëndohet çdo ditë e më shumë, e cila përbëhet nga emigracioni i pakontrolluar, që nën ritmin e një mijë-dy mijë personave në ditë mbërrin përmes Mesdheut në brigjet tona. Teksa qindra mijëra të tjerë, sikurse e dimë, po presin në bregun tjetër. Bëhet fjalë për një fenomen me përmasa epokale. Është diçka që, nëse lihet e lirë, përbën një rrezik për pjesë vendimtare të jetës sonë, sikurse janë kolektiviteti shtetëror dhe kombëtar. Për shembull, i fut në konflikt me njëra-tjetrën disa pjesë gjeografike të vendit. Helmon marrëdhëniet ndërmjet shtresave të ndryshme shoqërore të popullsisë, duke qenë se janë ato më të brishta që preken më tepër nga kostot tejet të mëdha të fenomenit. Më pas, në ekzistencën e përditshme të miliona qytetarëve të vendit tonë, kryesisht në atë të më të dobtëve dhe të moshuarve, përhap siklete, pasiguri, frikëra, që përkthehen në reflekse të rrezikshme të llojit të marrjes së masave të sigurisë tej normave; rrezikon së fundi të ushqejë qëndrime ideologjike me përmbajtje agresive dhe radikale që janë në gjendje të modifikojnë rëndë tablonë tonë politike.

Me pak fjalë, emigracioni është e kundërta e administrimit normal, është një tërmet i mundshëm. Dhe si i tillë duhet trajtuar: nuk mund të përballohet vetëm me kategoritë e mirësisë humanitare (nga të cilat, gjithsesi, askush nga ne nuk ka ndërmend të heqë dorë), ashtu sikurse nuk mund të mendohet që t’i besohet administrimi një flote të marinës dhe drejtimit të dobët të ministrit Alfano. Duhet trajtuar si një emergjencë e vërtetë kombëtare, dhe e gjithë qeveria, duke nisur nga Renzi, duhet ta vendosë në vendet e para të përparësive të saj, duke lëvizur në mënyrë të përshtatshme.. Në radhë të parë karshi Europës: që do të thotë, duke ndjekur më në fund një linjë të vendosur, shumë të vendosur, edhe deri në ashpërsi (le ta zgjedhë Renzi cilën, ama vetëm ta zgjedhë vërtet një). Dhe më pas në nivel të brendshëm, duke i bërë thirrje të gjithë vendit (jo vetëm forcave politike) për një këshillim të madh kolektiv, një ndërgjegjësim mbi situatën tonë historike, për një diskutim për të ardhmen tonë, për ta përcaktuar së bashku se çfarë duhet bërë: duke nisur – ky është propozimi i parë që më vjen të bëj personalisht – nga një ligj i ri, që nuk mund të shtyhet më, për marrjen e shtetësisë. Është në lojë e ardhmja e Italisë: kryeministri le të na thotë se çfarë mendon.

(Corriere della Sera)