Emigrantë nga Kosova kapen në Hungari

Policia hungareze ka kapur 12 emigrantë, në mesin e tyre edhe disa shtetas të Kosovës, të cilët kishin hyrë në Hungari në mënyrë ilegale me synim për të shkuar në Vjenë. Ata janë kapur në një automjet udhëtarësh që po drejtohej nga një i ri nga Novi Sadi.

Lajme

25/01/2014 11:02

Një grup prej 12 emigrantëve të cilët kanë hyrë në Hungari në mënyrë ilegale, janë zënë nga policia e rrethit të Csongrad, këtë fundjavë në qytetin jugor të Morahalon, i cili ndodhet jo shumë larg qytetit të Szeged.

Policia njofton se emigrantët kanë ardhur nga Afrika e Veriut, Kosova, Pakistani dhe Afganistani.

Emigrantët ilegalë janë gjetur të fshehur në një automjet udhëtarësh i cili raportohet të jetë i vjedhur në Itali, ka qenë duke u drejtuar nga një 21 vjeçar nga Novi Sadi, detyra e të cilit ishte që t’i dërgonte këta persona në Vjenë të Austrisë.

Zsuzsanna Veg e cila është drejtoreshë e Zyrës për Emigracion dhe Nacionalitete, tha se kufiri i Hungarisë me Serbinë, është pika kyçe prej nga emigrantët hyjnë në Hungari, posaçërisht personat që kërkojnë statusin e refugjatit. Sipas saj, shumica e tyre nuk kanë mundur ta presin kohën për aplikimin për azil dhe janë larguar nga vendi para se procesi i dhënies së azilit të përfundojë.