Emërimi i zëvendësministrave në tri faza, ja disa nga emrat e mundshëm

Qeveria e Isa Mustafës do të ketë hiç më pak se 50 zëvendësministra, pasi që në secilën ministri do të jenë nga dy zëvendësministra, kurse në ministritë që udhëhiqen nga minoritetet do të jenë nga tre zëvendësministra (nga një prej dy partive të koalicionit, si dhe një nga minoritetet).

Lajme

15/01/2015 23:02

Sipas agjencisë KosovaPress, zëvendësministrat nuk do të emërohen të gjithë njëkohësisht, por ky emërim do të bëhet në tri faza.

Sipas burimeve të KP, Lirie Kajtazi është emri i parë që përmendët se do të emërohet zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë.

Armend Ibrahimi është emri tjetër që thuhet se do të emërohet në këtë pozitë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Petrit Selimi thuhet se do vazhdojë të jetë në pozitën e njëjtë, si zëvendësministër i Punëve të Jashtme ndërsa në këtë ministri mund të shkojë edhe Valon Murtezaj i LDK-së.

Avni Kastrati është një emër tjetër që po lakohet të bëhet zëvendësministër dhe i cili do të pozicionohet në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë, ndërsa në Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë, zëvendësministër thuhet se do të emërohet Lirak Qelaj.

Si zëvendësministre e Skender Hysenit, në MPB, është përmendur emri i Dhurata Hoxhës, ish – këshilltares së Hashim Thaçit.

Gjithmonë sipas këtij burimi, Fehmi Mujota tash do të jetë zëvendësministër në ministrinë e Lutfi Zharkut, ndërsa Bajram Gecaj thuhet se do të shkojë tek Avdullah Hoti. (KosovaPress)