Elvisi dhe Populli

Raporti në mes të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë nuk është raport harmonie dhe koherence. Në shumë raste ato e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe këtu qëndron arsyeja e konflikteve ideologjike që në dy shekujt e fundit e kanë përgjakur njerëzimin

Lajme

04/08/2017 18:08

Nga shumë reagime që mora në shkrimin tim “Letër studentëve të mi majtistë”, i vetmi që ia vlen të quhet reagim normal ishte teksti i Elvis Hoxhës, filoaktivist i Vetëvendosjes

Të gjitha reagimet tjera, pa mëdyshje, hyjnë në zhanrin e paçavureve ad hominem dhe duke qenë të tilla as që ia vlen të humbet kohë me to. Joshjes prej emocionalitetit të këtij zhanri nuk i shpëton, aty këtu, as Elvisi në tekstin e tij, por jam i vetëdijshëm se duke qenë filozof i masave ai nuk mund të jetë krejtësisht imun ndaj gjuhës së tyre.

Jetojmë në një kohë, kur siç do të thoshte Umberto Eco, vulgariteti i budallenjve ka dalë nga çajtoret e ndyta të novelave të Dostojevskit dhe është shfaqur, me plot agresivitet, në sheshin digjital të sferës publike.

Ashtu si dikur barbarët invaduan dhe rrënuan perandorinë romake, sot budallenjtë po e rrënojnë perandorinë e mendjes, të cilën racionalizmi perëndimor e kishte ndërtuar në sferën publike. Rrëfimi më i mirë për këtë ndërtim është padyshim vepra e Habermasit, “Transformimi struktural i sferës publike”. Si filozof i socialdemokracisë së vërtetë, Habermas do t’i thoshte Veton Surroit, se socialdemokracia bazohet në veprimin komunikativ, e jo në ndërtimin artizanal të bombave, në stilin siç i bënte revolucionari fatkeq Boris Davidoviq në novelën e famshme “Një varr për Boris Davidoviqin” të Danillo Kishit.

Nëse flasim me terma marksistë, i dashur Elvis, këta barbarë të mediave sociale janë llumpenproletariati digjital, të cilin ju në Vetëvendosje me lehtësi të padurueshme e quani “aktivizëm qytetar”.

Të jemi të qartë: mua nuk më tremb gjuha e ndyrë dhe kërcënimet e budallenjve që e konsiderojnë partinë tuaj një bankë për ta depozituar mllefin dhe komplekset e tyre psikotike. Për asgjë tjetër, jam rritur në një vend ku mposhtja e frikës prej tiranisë është gjëja e parë që mëson çdo fëmijë. Ky është Prekazi, vendi ku pesha e sakrificës për liri është njëqind herë më e madhe se të gjithë librat e mykur të marksizmit. Duhet të vish në Prekaz, i dashur Elvis, për ta ndier peshën e lirisë, ajrin e saj, të cilin kurrë nuk ke për ta gjetur në dogmat e vjetra të materializmit dialektik, që një ditë të bukur në pranverën e kombeve, u nis për ta për ta bërë botën parajsë dhe rrugës ndërtoi ferrin në tokë.

Por, të kthemi tek reagimi yt.

Brenga kryesore në reagimin tënd është mbrojtja e popullit, të cilin, sipas teje, unë jam duke u munduar ta privoj nga pjesëmarrja në vendimmarrjen politike. Brenga jote, sipërfaqësisht është filozofike dhe në thelb e nxitur nga skema e thjeshtë populiste: në njërën anë është populli i pastër si loti, në anën tjetër jam unë dhe elita politike e korruptuar dhe në mes jeni ti dhe Vetëvendosja që keni marrë përsipër misionin e shenjtë për ta shpëtuar popullin. Kjo është skema juaj operative në politikë, tepër e thjeshtësuar për të qenë e vërtetë.

Si filozof, që kalon kohën në punishten e koncepteve, do duhej të ndaleshe pak në kompleksitetin e konceptit popull, por ti nuk e bën këtë, sepse të pëlqen vetësiguria pragmatike populiste për atë se çfarë është populli, apo ndoshta të pëlqen përcaktimi i Ernesto Laclaut për popullin si “një shënjues i zbrazët diskursiv”, të cilin ti merr përsipër ta vësh në shërbim të diskursit politik të Vetëvendosjes. Kjo e fundit me gjasë është më afër të vërtetës, marrë parasysh pasionin tuaj për të qenë të vetmit që e dini se çka është, çfarë dëshiron dhe çfarë duhet të bëjë populli.

Ju po silleni me popullin si teologët mesjetarë më shpëtimin e njerëzimit. Ashtu si ata thoshin se “nuk ka shpëtim jashtë kishës”, ju sot me logjikën tuaj diskursive thoni se “nuk ka popull jashtë Vetëvendosjes”. Populli është monopol i Vetëvendosjes dhe gjithsekush që mendon jashtë ideologjisë së saj është armik i popullit.

I dashur Elvis, aq shumë je i frikësuar se po ta cenoj popullin prandaj në tekstin tënd e ke marrë në gji dhe aq shumë e ke shtrënguar saqë popullit i është zënë fryma nga përkujdesi yt atëror.

Për ta ilustruar këtë do ta marr vetëm një argument nga teksti i yt.

Më akuzon, mes tjerash, se përmes shkrimit tim përpiqem të arsyetoj pengimin e subjektivizimit të popullit, sepse populli duhet të jetë subjekt që e aktualizon veten në botën politike.

Krejt në rregull, por vetëm pak rreshta më tutje filozofi Elvis tradhtohet nga populisti Elvis, ngase përnjëherë e përcakton popullin si “lëndë njerëzore”, të cilën unë po e urreja.

Si kështu: njëherë thua se populli duhet të jetë subjekt, pastaj thua se populli është lëndë njerëzore, pra objekt?! Mos ndoshta po përpiqesh të ecësh buzë greminës konceptuale të veprës “Subjekt-Objekt” të Ernst Blochut? Nuk ma merr mendja. Kush kujtohet sot për utopistin Bloch?

Elvis çfarë ke bërë kështu? E ke shndërruar popullin në lëndë! T’i shndërrosh njerëzit në lëndë, ta konsiderosh popullin lëndë, material për t’u përpunuar ideologjikisht, a nuk është kjo premisa e çdo ideologjie antihumaniste, a nuk është kjo premisa e vetë fashizmit dhe stalinizmit, këtyre dy ideologjive që aq shumë e donin popullin, aq shumë, saqë në fund gati sa nuk e mbytën krejt, siç e mbyti gruan e dashur marksisti i orëve të fundit, i shkreti Althusser?

I dashur Elvis, ishte pikërisht fashizmi, që njësoj si ti, e konsideronte popullin një lëndë, e cila në fabrikën ideologjike fashiste do të përpunohej që në fund, si produkt, të dilte raca e pastër ariane.

Ishte pikërisht stalinizmi, që njësoj si ti, e konsideronte popullin një lëndë, e cila në fabrikën ideologjike të socializmit real do të përpunohej për ta nxjerrë si produkt final Njeriun e Ri, i cili paradite lexon poezi, në mesditë shkon në parlament për të hedhur bomba me gaz lotësjellës dhe në mbrëmje merr pjesë në debate për të ardhmen e ndritur të kombit.

Duke e shndërruar popullin në lëndë, i dashur Elvis, ti s‘bën gjë tjetër veçse e vegëlzon atë, e kthen në instrument të një grupacioni që është vetëshpallur shpëtimtar i popullit. Në këtë mënyrë duke mbrojtur popullin prej meje, në fund, ti vetë e shkatërron atë. Rrjedhimisht bie me të dyja këmbët në logjikën e mashtruesit populist që thërret “kapeni mashtruesin” dhe demokracia jote pjesëmarrëse degradon nga një atribut i sovranit në një “bonus për demagogët”, siç e quante një politikan i njohur gjerman.

Ti përpiqesh të mbrosh marksizmin vulgar të Nenit 1 të statutit të Vetëvendosjes duke e mbuluar atë më dekorin e sloganeve të Revolucionit Francez të ruajtura në Kushtetutën e Francës. Edhe në këtë rast dështon si filozof, sepse do të bësh punën politikisht të dobishme të populistit: në vend si t’i shqyrtosh në mënyrë kritike këto slogane, ti u qasesh atyre në mënyrë eklektike, i grumbullon në një vend dhe na thua: ja ideali dhe lumturia për të cilin po vuan aq shumë njerëzimi. Eureka, thërret Elvisi!

Si filozof do të duhej, dhe besoj që di, se raporti në mes të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë nuk është raport harmonie dhe koherence. Në shumë raste ato e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe këtu qëndron arsyeja e konflikteve ideologjike që në dy shekujt e fundit e kanë përgjakur njerëzimin. Implementimi revolucionar i barazisë dhe vëllazërisë ka shpënë në shkatërrimin e lirisë dhe kjo është arsyeja pse sot marksizmi ka pushuar se ekzistuari si program ideo-politik, për të mbetur e shumta një metodë analize sociale, apo siç thotë Sloterdijk “një qëndrim estetik për botën dhe asgjë më shumë”. Natyrisht liria e të rinjve për ta pasur këtë qëndrim estetik është e plotë, por t’i manipulosh ata me pjesën përfundimisht të vdekur të marksizmit është hiç më pak se të ushqesh mendjen e tyre me një mall me afat të skaduar. Filozofia në këtë rast nuk mund të qëndrojë indiferente, sepse në thelbin e saj ajo është gastroenterologji e mendjes dhe ti e di mirë këtë.

Në fund, një informatë për të gjithë të interesuarit : KLINIKA GASTROENTEROLOGJIKE HAPET NË TETOR.

Gjithë të mirat

Prekaz

04.08.2017