Elton John: Kërcimi mjeshtëror

Elton John: The Diving Board

ShowBiz

17/09/2013 16:45

Temë e tabloidëve, institucion në Las Vegas, producent filmik, realizues i dueteve me të gjithë – prej Lady Gaga te Queens of the Stone Age.

Ndonëse në të gjashtëdhjetat, Elton John ende mbijeton në fokus. Por, prioritetet e tij muzikore kanë ndryshuar. Kur e publikoi albumin The Union, në 2010, bashkëpunim triumfues me Leon Russell, që u bë njëra ndër trashëgimitë më inspiruese të Sir Elton – pranoi se ky projekt kishte lënë shenjë të përjetshme në vizionin e tij kreativ. Më nuk do t’i ndiqte fodullëqet momentale të shijes së pop’it, por t’i përkushtohej bërjes së një muzike më të sinqertë dhe më personale.

Albumi i parë i kësaj qasjeje të re është The Diving Board, i cili e ribashkon me producentin e The Union, T Bone Burnett, dhe tregon se nuk kishte folur në ajër. Ky album është më i përqendruar se çdo album tjetër i tij i viteve të fundit, duke e kthyer tek këngët rrëfimtare me shije të muzikës country, me të cilat ishte bërë i njohur në 1970’at e hershme, posaçërisht me albumet Tumbleweed Connection dhe Madman Across the Water. Pastaj, i kishte mbathur çizmet elektrike dhe ishte transformuar në Captain Fantastic, për t’u bërë rock ylli më i madh në botë.

Vetë Elton John ka thënë se për këtë album është inspiruar nga Modern Times i Bob Dylan.

Në pjesën më të madhe të albumit, pianoja e Elton John’it përcillet me bass’in e mrekullisë neosoul, Raphael Sadiq, bateristin Jay Bellerose, kohë pas kohe duke u fuqizuar nga kontributet e kitarës së Doyle Bramhall II, ose me borinë atmosferike dhe aranzhimet e instrumenteve me tela.

Ndjenja e thjeshtë ia lë vendin temave rikthyese të udhëtimit, kujtesës, nostalgjisë – nga mësimet e mësuara – për të jehuar në arritjen e majave melankolike dhe emocionale me “Voyager”,  dhe singlin e parë – “Home Again”. Si zakonisht, vargjet e Bernie Taupin janë të mbushura me retro imazhe të jetës amerikane të Perëndimit të Vjetër.

Suksesi më mbresëlënës i albumit është mënyra në të cilën ai e kthen pianon e Elton John në qendër të vëmendjes, aty ku duhet të jetë. Sepse, ai është rock pianisti më i mirë i të gjitha kohëve. Kjo dëshmohet në pauzat instrumentale, por më së shumti në këngët “A Town Called Jubilee” dhe “Take This Dirty Water”.

Albumi përmbyllet me këngën, titulli i së cilës është edhe titull i albumit. Një meditim i ngadalshëm dhe i mrekullueshëm për momentin e fundit të rinisë, kur të gjithë jemi plot potencial të pastër. “I was 16/And full of the world and its noise” (Isha 16 vjeç/Plot botë dhe zhurmë të tij), këndon ai me zë të grithur, të lodhur, të një këngëtari salloni.

Me albumin The Diving Board, Elton John e ka rigjetur sensin e tij të mundësisë muzikore dhe ka bërë një kërcim të guximshëm e elegant.

A.M.

Elton John – The Diving Board (Extended Album Trailer)