Elina Duni, vajza që do të protestojë duke kënduar në Valbonë

Elina Duni e përsërit shpesh: “Në Ballkan dhe në Shqipëri, duhet ta këndosh dhe ta kërcesh dhimbjen për ta nxjerrë atë larg vetes”.

ShowBiz

03/10/2016 18:07

Këtë kredo të saj të përsëritur sa e sa herë në skenë, këngëtarja shqiptaro zvicerane ka vendosur ta vërë tani edhe në jetë duke bashkuar në një pasionin e saj muzikor me angazhimin qytetar.

Nuk është më risi lajmi se Elina, së bashku me miken e saj Eda Zari kanë vendosur të mbajnë një koncert në fund të tetorit në Valbonë për të protestuar kundër shkatërrimit të kësaj mrekullie të natyrës, si dhe kundër importit të plehrave në Shqipëri.

Lapsi.al ka shfletuar së fundi profilin e saj në Facebook. Eshtë i mbushur me mesazhe të mbrojtjes së mjedisit të vendit prej nga ka origjinën. Sepse Elina, që konsiderohet si një nga 10 këngëtaret më të mira të xhazit në Zvicër, që ka mbajtur koncerte në mbarë Europën, për të cilën kanë shkruajtur gazetat më të mëdha të kontinentit nuk e harron kurrë vendin prej nga u largua në moshën 10 vjeçare.

Bija e një artisti, regjizorit Spiro Duni dhe e shkrimtares Besa Myftiu, ajo e ka treguar për Madame Mapo tronditjen e të qenit emigrante që në fëmijëri. “Shkulja si fëmijë 10 vjeçar ka qenë shumë e vështirë, sidomos në atë kohë. Nuk ka qenë tragjike, se nuk ka qenë as luftë, nuk kam pasur as një njeri që më ka vdekur, fatmirësisht, por ka qenë e vështirë. Isha dhjetë vjeç dhe kisha vetëm një njeri, mamin, që u martua me burrin e saj të dytë, por unë nuk e njihja. Dhe u gjenda në një mjedis, ku kishte vetëm të huaj. Në atë kohë, ne të huajt i shihnim si gjysmë zotër, kishim shumë komplekse ndaj të huajve. Fëmijët janë shumë të vërtetë dhe në fillim të shohin e pyesin: kush është kjo? Kështu më ndodhi. Unë isha, goca shqiptare që nuk di të flasë fare. Indiferenca për mua në atë kohë ka qenë gjëja më e vështirë. Kur njerëzit janë indiferentë ndaj teje, do të thotë që ti nuk ekziston në ato momente. Më është dashur që të shoh brenda vetes sime. Kjo ka qenë hera e parë. Si fëmijë 10 vjeç, duhej të të ndodhë një krizë e tillë që të bësh një lloj reflektimi me veten. Aty ndenja shumë vetëm. Kisha një walkman me kaseta dhe isha gjithë kohën duke dëgjuar “Beatles“ dhe duke ecur vetëm. Dhe ata më kanë shpëtuar. Muzika më ka shpëtuar. Kjo ndodhi në Lucernë për disa muaj. Pastaj u shpërngulëm në Gjenevë. Lucerna është një qytet shumë i vogël, ku nuk kishte shumë të huaj. Gjeneva, përkundrazi kishte shumë të huaj. Në klasën time ishin të gjithë emigrantë. Pra, unë nuk isha më “e jashtëzakonshmja”, përjashtimi. Atje ka ndodhur shumë shpejt integrimi dhe më asnjëherë nuk jam ndjerë jo e integruar në Zvicër. Por ky fillim ka qenë vërtet një shkulje, një përjetim shumë i dhimbshëm”.

Deri në ditën që u largua nga Shqipëria, Elina, ka pasur fatin e një familjeje tipike nën komunizëm. Të njërës prej atyre që si shumëkush e pa regjimin e ri me shpresë deri sa më pas u bë viktimë e diktaturës komuniste. Vetë ajo e ka treguar këtë në një bisedë me kritikun e muzikës dhe letërsisë Manfred Papst në gazetën «NZZ am Sonntag»: «Gjyshi im ka qenë partizan dhe si 12-vjeçar përfundoi në një kamp përqëndrimi në Prishtinë. Ai u lirua dhe iu bashkua komunistëve në Tiranë. Ai luftoi kundër diktaturës dhe u fut në burg. Unë jam rritur me të. Ai ka qenë mësues, por tridhjetë vjet e kishte të ndaluar të shkruajë dhe japë mësim. Ai shiste cigare në një qoshk! Desha apo jo: historia ime është plot me politikë, tamam si historia e Shqipërisë».

Ndoshta është ky fat që e ka lidhur këngëtaren me atdheun e saj. Sa herë promovon një album të ri, “Matanë malit” apo “Dallëndyshja” (video poshte) pavarësisht suksesit europian të këtyre këngëve të vjetra shqiptare të përpunuara me finesë, ajo nuk haron edhe turin në vendin e saj.

Dhe ajo nuk do vetëm publikun, blerësit e disqeve, fansat e saj.

Me këtë vend Elina Duni përpos njerëzve është e lidhur edhe me natyrën. Pasi mbaroi albumin e fundit Dallëndyshe ku shumë krijime, janë përpunime të këngëve të vjetra të veriut, ajo ndërmori edhe një udhëtim në bjeshkët shqiptare. Dhe e rrefeu plot pathos dashurinë e saj për këtë zonë. “…E ndiej shumë fort Veriun, edhe pse jam nga origjina jam më shumë jugore. Kam pasur tërheqje për Veriun, që e vogël. Kam pasur librin “Legjenda të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit me Gjergj Elez Alinë, bajlozin, zanat. Gati gjithë mitologjia që kemi është e Veriut, është e zanave. Tek unë ka qenë gjithmonë kjo ideja e malësorit të urtë dhe që di. i pëlqej shumë zanat, shtojzovallet. Më duken dhe imazhe shumë feministe. Kam qenë në Theth, për herë të parë. Kam mbetur së pari e mrekulluar nga mikpritja që kam pasur, gjërat e mira që kishte për të ngrënë, thjeshtësia dhe një lloj çmendurie jona. Kemi ecur me një fuoristradë 4×4 shumë shpejt nëpër male dhe kemi dëgjuar këtë muzikë, muzikën time. Kjo muzikë i shkon shumë maleve të Shqipërisë dhe ka qenë emocion shumë i fortë për mua. Ishte një shoku im që më ftoi atje dhe ka qenë vërtet një ndjesi shumë e fortë. Ishte hera e parë që unë shkova vërtet në Bjeshkët e Namuna”.

Ndoshta që nga kjo kohë, Elina i ka shtuar përkushtimit të saj për traditën e vjetër shqipëtare edhe atë për ruajtjen e natyrës. Dikur ajo thoshte për një gazetë zviceriane: «Po vdes prodhimi i instrumenteve tradicionale, muzika autentike po zhduket. Vendin e saj po e zë moda e turbo-folkut. Në shqip kjo quhet tallava. (…) Meloditë e njohura përzihen me ritme elektronike. Kështu shkatërrohet krejt poezia. Këtë muzikë në rastin më të mirë mund ta përdorësh për të vallëzuar dhe pirë. Ajo që dua t’ia kthejë vendit tim është sublimimi i traditës lokale».

Ndrsa tani ka marë mbi vete edhe një angazhim tjetër. Të ruajë edhe pasuritë natyrore nga shaktërrimi. Pikërisht për këtë, si një artiste e angazhuar, si një qytetare e përgjegjshme, si një grua fine dhe me shije që e ka kuptuar se ruajtja e disa vlerave i bën më mirë se çdo gjë se ardhmes, ako ka vendosur të mbajë një koncert në Valbonë së bashku me kolegen e saj Eda Zari. Në 29 tetor do të performojnë në alpe. Në 30 në Tiranë. Lapsi.al do ti ndjekë këto ebenimente për të protestuar me muzikë, kundër hidocentraleve vrasëse. Për të ngritur zërin kundër importit të plehrave. Sepse siç beson Elina, në vende si ky yni, duhet të këndosh dhe të kërcesh, për ta nxjerë dhimbjen nga vetja.