Elina Duni, këngëtarja më e mirë e xhazit, sipas gazetës “AZ”

E përditshmja zvicerane “AZ” ka radhitur këngëtaren shqiptare Elina Duni në krye të listës që përmban 10 këngëtarët më të mirë të muzikës xhaz sipas këtij mediumi.

ShowBiz

08/01/2016 00:08

Duni ka lënë pas vetës artistë si Schnellertollermeier: X, Le Rex: Wild, Man Kaos Protokoll etj.

Ajo gjatë 2015 ka promovuar me një turne ballkanik në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Serbi albumin e saj të fundit, të titulluar “Dallëndyshe”, i cili u cilësua nga gazeta britanike “The Telegraph” si një ndër albumet më të mira të muzikës xhaz.

Muzika e Elina Dunit është pothuajse gjithmonë një gërshetim mes xhazit dhe folklorit popullor shqiptar dhe ajo përpunon me shumë delikatesë shumë këngë të vjetra shqipe dhe i qaset në mënyrë të veçantë poezisë e melosit shqiptar.

Elina u lind në Tiranë dhe për herë të parë u ngjitë në skenë kur ishte vetëm pesë vjeç. Në vitin 1991, Duni shpërngulet në Gjenevë të Zvicrës. Repertuari i saj  ndër të tjera përmbledhë albumet  “Baresha”, “Lume lume” dhe “Matanë malit”.

Ndonëse mban koncerte në shumë vende të Evropës për KosovaLiveElina pati shprehur kënaqësinë e saj sa herë që përshëndet publikun në shqip dhe dëgjon duartrokitje të vijnë prej sallës.

Gjatë vitit që lamë pas Ambasada e Kosovës në Zvicër i ka dhënë Elinës çmimin “Diaspora 2015”.

Ndërkohë, në faqen zyrtare të këngëtares janë publikuar datat e koncerteve të para për vitin 2016. Ajo do të interpretojë më 9 janar në Tiranë dhe do të vazhdojë rrugëtimin e saj në Zvicër, Gjermani dhe Francë deri në fund të muajit.