Elektorati do të lëvizë

Analisti Baton Haxhiu thotë se këto zgjedhje do të krijojnë frymë përcaktuese që mund të derivojë edhe zgjedhje të shpejta parlamentare. Sipas tij, do të ketë lëvizje të elektoratit dhe asnjë parti s’do ta kalojë 30 përqindëshin.

Lajme

02/11/2013 20:01

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit po përcillen me një interesim të madh nga opinioni publik, e gjithashtu edhe nga mediat dhe analistët.

Kjo edhe për faktin se këto zgjedhje do të shërbejnë si peshojë për forcat politike pjesëmarëse të këtij procesit elektoral.

Analisti Baton Haxhiu thotë në një intervistë për lajmi.net se këto zgjedhje do të përcaktojnë frymën për zgjedhjet e përgjithshme – të cilat, sipas tij, do të mund të mbahen në prill ose maj të vitit të ardhshëm.

Ai thotë se gjatë fushatës parazgjedhore kandidatët lokalë kanë mbetur nën hijen e liderëve të qendrës.

“Edhe pse kemi menduar se diçka nuk shkon ne shoqërinë tonë, këto zgjedhje treguan se ka një shije tjetër në debatet politike”.

Këto zgjedhje, sipas Baton Haxhiut, kanë disa karakteristika.

“E para: Fushata më shumë ka karakter gjithëpërfshirës. Këto zgjedhje nuk duket të jenë lokale nga mënyra se si janë të përfaqësuara nga stafi qendror”.

“E dyta: Kandidatët për Komuna janë nën hije dhe shumë janë të ndihmuar nga qendra”.

“E treta: Puna e liderëve lokalë duket të ketë qenë jo e mirë, prandaj ndihma e gjithë stafeve qendrore ka qenë prezente në secilin cep të Kosovës”.

“E katërta: Gjatë kësaj kohe, institucionet e Kosovës kanë qenë krejtësisht të udhëhequra nga teknokratët për shkak të fushatës”.

“E pesta: Këto zgjedhje janë ato që do të përcaktojnë edhe frymën për zgjedhjet e përgjithshme që mund të mbahen në prill ose maj të vitit të ardhshëm”.

“E gjashta: Në balotazh do të jenë tri parti – PDK, LDK, AAK, dhe asnjë tjetër”.

“E shtata: Beteja kryesore në raundin e parë do të jetë në Gjakovë, Prizren Gjilan,Viti, Klinë, Malishevë, Drenas, Lipjan dhe Gjilan. Të tjerat janë beteja ku rezultati është i parashikueshëm”.

Analisti Baton Haxhiu pret që të ketë lëvizje të elektoratit në këto zgjedhje. Por, parashikon që as PDK e as LDK të mos e kalojë 30 përqindëshin.

“Do të ketë lëvizje të elektoratit dhe asnjë parti nuk do ta kalojë nivelin prej 30 për qind. Të gjitha do të zbresin nën këtë kuotë”.

“Do të ketë rritje të dy partive politike dhe të gjitha të tjerat do të kenë rënie. Do të ketë parti që nuk do të duken më në hartën elektorale”.

Ai thotë se këto zgjedhje do të krijojnë frymë përcaktuese që mund të derivojë edhe zgjedhje të shpejta parlamentare.

Haxhiu e vlerëson të mirë betejen për Prishtinën, por thotë se fituesi dihet qysh tash.

“Beteja për Prishtinën është e mirë, më e mira deri më tash, por fituesi është i ditur, prandaj e ka shijen e debatit të munguar”.

“Gabimi i të gjitha partive politike, hiq AAK’në , ka qenë gati fillestar, sepse janë përcaktuar shumë vonë për kandidatët që do ta sfidonin Isa Mustafën”.