El Clasico për Luizin

Real Madrid dëshiron t’i prishë punë Barcelonës. Los Blancos kanë shprehur interesim për transferimin e një objektivi afatgjatë të gjigantit katalan, mbrojtësin e Chelseas, David Luiz.

Sport

23/04/2014 11:39

Real Madrid rivalizon Barcelonën në përpjekjet për transferimin e qendërmbrojtësit të Chelseas, David Luiz.

Ylli brazilian tashmë një kohë të gjatë përmendet si objektiv i gjigantit katalan. Luiz u kërkua nga Barcelona në verën e vitit të kaluar, ndërsa emri i tij u përfol edhe gjatë janarit.

Mirëpo, sipas portalit Footballdirectnews.com, Real Madrid dëshiron t’i prishë punë Barcelonës duke shprehur interesim për transferimin e 27-vjeçarit pas përfundimit të këtij sezoni.

Barcelona është aktualisht e dënuar nga FIFA – në pritje të vendimit të shkallës së dytë pas ankesës –  dhe nuk ka të drejtë për shitblerjen e futbollistëve deri në verën e vitit të ardhshëm.

Krejt kjo mund t’i shkojë në favor Realit dhe trajnerit Carlo Ancelotti për të intensifikuar përpjekjet për blerjen e Luizit gjatë afatit kalimtar të verës.