El Chapo “i ka dhënë 100 milionë euro ryshfet ish-presidentit të Meksikës”

Ish-bosi meksikan i drogës, dikur i ka dhënë 100 milionë dollarë ryshfet ish-presidentit të Meksikës, Enrique Pena Nieto.

Bota

15/01/2019 23:29

Një dëshmitar në gjykimin e Joaquin “El Chapo” Guzmanit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar të martën se ka njoftuar më parë autoritetet amerikane se i akuzuari, ish-bosi meksikan i drogës, dikur i ka dhënë 100 milionë dollarë ryshfet ish-presidentit të Meksikës, Enrique Pena Nieto.

Alex Cifuentes, i cili ka thënë se ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i “El Chapos” për shumë vite, ka folur për ryshfetin e majmë gjatë marrjes në pyetje nga njëri prej avokatëve të Guzmanit në Gjykatën Federale të Bruklinit, raporton Reuters.

I pyetur nëse u ka thënë autoriteteve më 2016 se Guzman e ka aranzhuar ryshfetin, ai është përgjigjur: “Po, ashtu është”.

Pena Nieto ka qenë president i Meksikës nga dhjetori i vitit 2012 deri në nëntorin e vitit 2018. Më herët, ai ka shërbyer si guvernator i shtetit që përfshin edhe kryeqytetin Meksiko Siti.

Guzman, 61-vjeçar, po gjykohet në SHBA që nga nëntori i vitit të kaluar. Ai ishte ekstraduar në Amerikë më 2017, për t’u përballur me akuzat për trafikim kokaine, heroine e drogash tjera në vend, si udhëheqës karteli. /Express/