Eksploziv në automjetin e një biznesmeni në Durrës

Një automjet ka shpërthyer mëngjesin e së enjtes në lagjen nr. 1 të qytetit të Durrësit. Automjeti “Volkswagen”, në pronësi të një biznesmeni nga Durrësi, është shpërthyer me eksploziv rreth orës 07:50, në parkingun e jashtëm të lokalit.

Lajme

17/04/2014 20:46

Fatmirësisht, nga shpërthimi që ka tronditur banorët e zonës, si dhe klientët që ndodheshin në lokal për të shijuar buzë detit kafen e mëngjesit, nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme material, raporton Top Channel.

Lënda eksplozive ishte vendosur në pjesën e përparme të veturës dhe dyshohet se akti është përdorur si kërcënim ndaj biznesmenit, një nga më të njohurit në Durrës.

Burime nga policia lokale deklaruan se po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që pista kryesore dyshohet të jetë konkurrenca në fushën e biznesit.