Ekspertiza e re për rastin Dehari, Ministri Tahiri ende s’është takuar me familjen

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi  ka treguar se pavarësisht premtimit që ka bërë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri lidhur me këtë rast dhe me ekspertizën e re ende nuk ka pasur asnjë takim midis familjes Dehari dhe kësaj ministrie.

Lajme

12/10/2017 12:34

“Jo absolutisht nuk ka pasur kurrfarë takimi me familjen Dehari, sigurisht që në bazë të rezolutës së Kuvendit të Kosovës familja do ta përfaqësoj institutin ku do të mbahen hetime të pavarura dhe në kuadër të hetimeve edhe ekspertiza të pavarura.”, tha Gashi.

Ai ka folur gjithashtu edhe për refuzimin që i ka bërë familjes Dehari qeveria e kaluar lidhur me kryerjen e ekspertizës në Zvicër.

“Qeveria e kaluar e ka refuzuar kërkesën e familjes Dehari që këto hetime dhe këto ekspertiza të kryhen në institutin e mjekësisë ligjore në Zvicër me pretendimin se Zvicra kinse nuk është shtet i BE-së.”, shtoi ai.

Ndërsa, ka zbuluar se ekspertiza e ardhshme do të bëhet në njërin nga vendet e BE-së apo në SHBA.

“Tani do të kërkohet nga një shtet i Bashkimit Evropian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të kryhen këto hetime dhe ekspertiza të pavarura mirëpo deri më tani nuk ka pasur takim me ministrin e Drejtësisë.”, tha Gashi.

Sipas avokatit Gashi, familja është në pritje të ftesës së ministrit që të caktohet vendi për ekspertizë.

“Është çështje e ministrit të drejtësisë kur ai pretendon që t’i ftojë dhe ata shumë shpejt do të deklarohen për institutin që do të përzgjedhin në SHBA apo Bashkimin Evropian.”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, muajin e kaluar ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në mbledhjen e Qeverisë ka kërkuar fonde shtesë për ekspertizën për rastin Dehari.

Tahiri madje u deklarua se ata gjatë asaj jave do të takohen me familjen Dehari, mirëpo një takim i tillë ende nuk ka ndodhur. /Gazetablic/