Eksperti i mafias Roberto Saviano tregon se cili është shteti më i korruptuar në botë

Britania e Madhe është shteti më i korruptuar në botë, sipas ekspertit të mafias dhe shkrimtarit Roberto Saviano.

Bota

30/05/2016 07:53

Saviano, është autori i njërit nga librat më të lexuar për mafian që zbulon të fshehtat e bandës napolitane “Gomorrah”, grupit kriminal më brutale në botë dhe po ashtu ka shkruar librin tjetër shumë të shitur “ZeroZeroZero”, që flet për krimin internacional dhe kartelet e drogës.

Ai qysh nga 2006 jeton nën mbrojtjen policore, sepse ka marrë kërcënime të vazhdueshme nga mafiozët italianë.

Saviano komentet për Britaninë i ka bërë në Hay Literary Festival që organizohet në Uells, shkruan The Independent, përcjellë Klan Kosova.

“Nëse unë ju pyes juve se ‘cili është vendi më i korruptuar në botë?’, ju sigurisht do të thoni se është Afganistani, ndoshta Greqia, Nigeria, jugu i Italisë, por unë do t’ju them se është Britania e Madhe”, ka thënë Saviano derisa po u fliste të pranishmëve në Hay-on-Wye.

“Nuk është në pyetje burokracia, as policia, nuk është as politika, por çfarë është i korruptuar komplet në Britani, është sistemi financiar – kapitali financiar. 90 për qind e pronarëve të kapitalit në Londër kanë kompanitë e tyre offshore”.

“Vendet si Jersey dhe Cayman janë dyert që çojnë në krimin ekonomik në Europë dhe Britania e lejon këtë”, ka thënë Saviano.