Eksperti i OKB-së e lavdëroi Shqipërinë për harmoninë ndërfetare

Eksperti i Kombeve të Bashkuara për liri fetare, Ahmed Shaheed, e ka lavdëruar Shqipërinë për tolerancën ndërfetare, duke konsideruar se është një shembull për vendet e tjera.

Bota

17/05/2017 18:28

Shaheed tha se Shqipëria është model për harmoni ndërfetare, me shumicë myslimane, dhe komuniteteve ortodokse dhe katolike, në mesin e 3 milionë banorëve të saj.

Ky ekspert sot e ka përfunduar një qëndrim tetëditësh në Shqipëri për ta përgatitur raportin për politikat dhe praktikat e saj fetare, përfshirë çështjet e pazgjidhura ose sfidat e reja.

“Liria e religjionit ose besimit është realitet praktik në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e botës mund të mësojë nga përvoja e Shqipërisë në respektimin e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe religjionit ose besimit dhe për arritjen e harmonisë ndërfetare”, tha Shaheed, raporton AP nga Tirana.

Sipas tij, pas komunizmit, Shqipëria ka bërë “rikonstruktim të shpejtë të infrastrukturës fetare dhe revitalizim të lidershipit shpirtëror”.

Ahmed Shaheed, ekspert i Kombeve të Bashkuara, i ka bërë thirrje Shqipërisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë që “ta mbajnë harmoninë unike shoqërore dhe bashkëjetesën, që mbetet realitet në Shqipërinë e sotme”.