Ekspertët rrëfejnë gjendjen shpirtërore të të akuzuarit në momentin e vrasjes së trefishtë në Prizren

Tre ekspertë të psikiatrisë kanë dëshmuar në gjykimin për vrasjen e trefishtë në Prizren, për çka akuzohen babë e bir, Eshref dhe Ejup Shemollari.

Lajme

21/10/2018 13:40

Në këtë proces gjyqësor, që po zhvillohet në Gjykatën e Prizrenit, dëshmi dhanë ekspertët nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës: Dr. Jeton Zogaj, psikiatër forenzik, dr. Arsim Gashi, psikiatër forenzik, dhe dr. Blerta Veseli, psikologe klinike.

Dëshmitarët janë pyetur kryesisht për gjendjen shpirtërore të të akuzuarit Eshref Shemollari në momentin e kryerjes së veprës penale – vrasjes së trefishtë, ku viktima janë: Ferdi Shishko, Haki Thaçi dhe Belgin Ersoi.

Vrasja ka ndodhur në qendër të Prizrenit në mars të vitit 2015.

Në elaborimin e superekspertizës, dr. Jeton Zogaj sqaroi se  në Institutin e Forenzikës në Prishtinë është kryer vlerësimi psikiatrik i kërkuar me urdhëresë të Gjykatës për Eshref Shemollarin, për sa i përket veprimeve ose mosveprimeve të tij, raporton kallxo.com.

Sipas ekspertit, përgjegjësia e të pandehurit ka qenë e zvogëluar pasi që i njëjti më parë ka pasur një ngjarje traumatike, të cilën e ka përjetuar disa vite më herët. “Kjo është ajo që llogaritshmëria e tij ka qenë e zvogëluar po jo esencialisht”, tha dr. Zogaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Eshref Shemollari, avokati Mahmut Halimi, kryesisht parashtroi pyetje lidhur me dëshmitë, provat dhe deklaratat që i kanë marrë për bazë dhe se ku janë bazuar në ekspertët e mjekësisë forenzike kur e kanë përpiluar raportin dhe eskpertizën e tyre, si dhe parashtroi pyetje se a janë marrë për bazë deklarata e të akuzuarit Eshref Shemollari gjatë marrjes në pyetje në Polici dhe Prokurori, për të vlerësuar gjendjen dhe përgjegjësinë e tij në ditën kritike kur ka ndodhur ngjarja.

Lidhur me këtë, dr. Arsim Gashi deklaroi se çdo deklaratë nga shkresat e lëndës dhe çdo deklaratë gjatë secilës fazë të intervistimit të të akuzuarit është marrë për bazë nga ekipi vlerësues.

Tre ekspertët dhanë dëshminë e tyre para trupit gjykues me kryetar Xheladin Osmanin dhe gjyqtarët Ajser Skenderi dhe Refki Piraj anëtarë.

Ata elaboruan ekspertizën e tyre pasi janë angazhuar me urdhër të Gjykatës, sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, e cila ka marrë vendim që rasti të kthehet në rigjykim.

Më 02.10.2017 Gjykata Themelore në Prizren kishte shqiptuar dënimet ndaj dy të akuzuarve  për vrasjen e trefishtë që ndodhi në mars të vitit 2015 në Prizren.

Në vendimin e dhënë, trupi gjykues kishte vendosur që i akuzuari kryesor Eshref Shemallari të dënohet me 24 vjet burg në akuzat për vrasje të rëndë ndërsa djali i tij Ejup Shemallari u dënua me 4 vjet e gjysmë burg në akuzën për ndihmë të dhënë kryesit pas kryerjes së veprës penale.

Para përfundimit të seancës, avokati Mahmut Halimi, propozoi që të ftohen në Gjykatë edhe mjekët të cilët kanë përpiluar dy ekspertizat e mëparshme dhe ekspertët e mjekësisë forenzike, në mënyrë që të dëgjohen dhe të shmangen të gjitha dilemat e paraqitura dhe kundërthëniet në të tri ekpertizat e bëra lidhura me rastin.

Por një propozim i këtillë nuk u aprovua nga trupi gjykues, “meqenëse janë kryer dy ekspertiza dhe super-ekspertiza ku janë bërë dallimet lidhur me mospajtimet ndërmjet ekspertizës së parë dhe të dytë”.

Me datë 30 tetor 2018 do të bëhet rikonstruktimi i vendit të ngjarjes, ndërsa seanca e radhës është caktuar për më 16 nëntor./kallxo.com