Ekspertët: Inteligjenca artificiale rrezikon të përdoret në mënyrë armiqësore

Ekspertët ndërkombëtarë kanë ngritur alarmin mbi rreziqet e një përdorimi armiqësor të inteligjencës artificiale (IA) nga shtetet që nuk respektojnë rregullat ndërkombëtare, kriminelët, terroristët, në një raport të publikuar sot.

Auto & Tek

21/02/2018 23:07

Sipas tyre, në 10 vitet e ardhshme, efikasiteti në rritje i IA rrezikon të riforcojë kriminalitetin kibernetik, por gjithashtu të çojë në përdorimin e dronëve apo robotëve për qëllime terroriste.

Ajo gjithashtu mund të lehtësojë manipulimin e zgjedhjeve nëpërmjet rrjeteve sociale në sajë të llogarive të automatizuara.

Ky raport prej 100 faqesh u hartua nga 26 ekspertë specialistë për inteligjencën artificiale (IA), sigurinë kibernetike dhe robotike.

Ata janë pjesë e universiteteve të Cambridge, Oxford, Yale, Stanford dhe organizatave joqeveritare ”OpenAI”, ”Center for a New American Security” dhe ”Electronic Frontier Foundation”.

Këta ekspertë i kërkojnë qeverisë dhe aktorëve të ndryshëm përkatës të marrin masa për limitimin e kërcënimeve potenciale lidhur me inteligjencën artificiale.