Ekspertët e sigurisë: S’ka besim më në EULEX

Pas publikimit të aferave korruptive në misionin e EULEX-it, kreu i këtij misioni, Gabriele Meucci, të mërkurën, përmes një editoriali kishte kërkuar që qytetarët e Kosovës të vazhdojë t’i besojnë këtij misioni.

Lajme

20/11/2014 07:19

Por, eksperti i sigurisë Naim Maloku, duke folur për Epoka e Re, ka thënë se me këto afera korruptive, besimi i qytetarëve të Kosovës ka rënë karshi EULEX-it.

“Dalja në sheh e aferës për korrupsion brenda EULEX-it është një hendikep i rënd për punën e këtij misioni. Një mision që është dashur të jetë në ndihmë të institucioneve të Kosovës në luftimin e korrupsionit, EULEX-i ka kaluar në një institucion i cili paska qenë vetë i zhytur thellë në korrupsion. Janë cenuar rëndë imazhi dhe autoriteti i EULEX-it tek qytetarët e Kosovës. Besimi në EULEX ka rënë dhe është për keqardhje. Një mision i cili ka qenë shpresa e qytetarëve të Kosovës për të luftuar të keqen, është zhytur thellë në korrupsion”, ka thënë Maloku.

Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë mendon se ndonëse aferat korruptive mund të ndikojnë në imazhin e keq të këtij misioni, prapë se prapë qytetarët e Kosovës kanë dëshirë të shohin gjykatës vendor të suksesshëm por dhe gjykatës të BE-së të paanshëm.

“Madje në bazë të matjeve të opinionit të bërë pak ditë para pasimit në media të skandaleve korruptive në EULEX, besueshmëria e qytetarëve ndaj organeve vendore të gjyqësorit ka figuruar të jetë më e ulët sesa besueshmëria ndaj EULEX-it. Andaj në bazë të kësaj mund të thuhet se qytetarët e Kosovës edhe më tutje janë të interesuar të shohin një rifreskim të gjyqësorit vendor me gjykatës të paanshëm të sjellë nga BE-ja”, ka thënë Vrajolli, shkruan Epoka e Re.