Ekspertët e huaj sugjerojnë largimin e Llallës pa nisur ende procedura e zgjedhjes së Kryeprokurorit

Dy misione ndërkombëtare këshilluese që veprojnë prej vitesh në Shqipëri OPDAT (pranë ambasadës së SHBA) dhe EURALIUS (pranë BE) deklaruan sot publikisht se në Shqipëri duhet të emërohet një Kryeprokuror i përkohshëm deri në zgjedhjen e kryeprokurorit legjitim. Sipas tyre, Adriatik Llalla duhet të largohet më 3 Dhjetor.

Lajme

21/11/2017 17:04

Deklarata e tyre u shpërnda sot në media pikërisht në ditën kur Kryeministri Edi Rama mblodhi deputetët e PS të Komisionit të Ligjeve për këtë çështje.

Është e paqartë se kush u kërkoi dy misioneve të huaja të dalin me një deklaratë publike për “kokën” e Llallës, kur nuk mbajnë asnjë përgjegjësi ligjore dhe as morale për zgjedhjen e kreut të akuzës shqiptare.

Sipas procedurës parlamentare, zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm shqyrtohet paraprakisht nga Komisioni i Ligjeve. Në praktikën e këtij Komisioni, janë shënuar shpesh raste kur për çështje të ndryshme, kërkon mendimin e ekspertëve, përfshirë edhe atyre ndërkombëtarë.

Në rastin konkret, Komisioni Parlamentar i Ligjeve ende nuk ka hapur procedurë për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, nuk u është kërkuar mendim OPDAT-it dhe EURALIUS-it.

Rekomandimet

OPDAT dhe EURALIUS deklarojnë se dispozitat kalimtare përcaktojnë të drejtën dhe detyrimin e Kuvendit të zgjedhë një prokuror të lartë, i cili i plotëson kërkesat e neneve 22 deri 27 të Ligjit për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, si prokuror i përkohshëm me shumicë të thjeshtë, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

“Nuk ka autoritet kushtetues ose ligjor për Parlamentin që të zgjasë mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm aktual, mbas skadimit të mandatit të tij. Përkundrazi, ekziston një dispozitë e qartë që urdhëron emërimin e një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm”, thuhet në deklaratë.