Ekspertët arsyetojnë vendimin për mosrritje të pagave

Hezitimi për rritjen pagave 25 për qind, siç është premtuar nga qeveria e kaluar, por edhe nga partitë që tash janë në koalicion, po konsiderohet nga njohësit e çështjeve ekonomike një qasje e mire dhe racionale, kur është në pyetje shpenzimi i parasë publike.

Lajme

12/12/2014 13:58

Pak para fushatës së zgjedhjeve të 8 qershorit, ish-kryeministri Hashim Thaçi kishte rritur pagat për shërbyesit civil me 25%. Ndërsa një gjë të tillë kishte thënë se do ta bënte vazhdimisht vjet për vjet,  nëse ai mbetet në krye të qeverisë.

Por, kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa, vendimin për paga nuk po e sheh sikur bashkëpunëtori i tij, Thaçi. “Do t’i rrisim pagat në linjë me rritjen ekonomike”, kishte thënë Mustafa.

Gati të njëjtin qëndrim Mustafën kanë edhe njohësit e ekonomisë në vend.

Ibrahim Rexhepi, njohës i ekonomisë, thotë në lajmi.net se rritja e pagave është e paarsyeshme kur kemi parasysh se kjo bëhet duke reduktuar shumën e parasë që do të duhej të shpenzohej për investime kapitale,

“Njëkohësisht rritja e pagave ndodhë në kohën kur rritja ekonomike është shumë e ulët dhe, kur për asgjë nuk ka ndryshuar performanca e shërbyesve civil- madje ajo as që është matur”, thotë ai.

Megjithëkëtë, Rexhepi shpreh opinionin e tij se, kryeministri aktual duhet të jetë këmbëngulës në qëndrimin për rritjen e pagave.

“Paraprakisht, paraja nga buxheti duhet të orientohet në zërat që premtojnë një ambient më të mirë dhe më të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik, rritje të investimeve dhe punësim më të madh në sektorin privat”.

“Ndërkaq, duhet pasur parasysh edhe faktin se me rritjen e pagave në sektorin publik bëhet një presion i shtuar në sektorin privat, apo ndodhë lëndimi i tij përmes ikjes së kuadrove- profileve që mund të premtojnë zhvillim të këtij sektori. Tek e fundit rritja e pagave vetëm në sektorin publik, nuk ndikon aq shumë në përmirësimin e situatës së përgjithshme sociale”, thotë Rexhepi.

Edhe drejtori i Institutit GAP, Agron Demi, konsideron se rritja e pagave në sektorin publik prej 25% në vit ka qenë premtim jo i drejtë.

Ai potencon se vendimi i tillë ka qenë artificial e i pabazuar në logjikën financiare dhe si i tillë e ka dëmtuar buxhetin.

“Andaj është mirë që për disa vjet të mos ketë ngritje të pagave për të gjithë shërbyesit publik. Ky buxhet që ka Kosova nuk përballon edhe një rritje të tillë të pagave”, thotë ai.

Siç thotë Demi, Qeveria e Kosovës duhet të fillojë reformimin e administratës publike dhe të shpërblejë vetëm ata të cilët tregohen të suksesshëm në punën e tyre.

“Sektori publik tani më punëson mbi 81mijë njerëz, një numër i madh për një vend si Kosova dhe me një buxhet të ulët. Edhe ashtu, paga mesatare në sektorin publik është me e larte se paga mesatare në sektorin privat”, ka thënë Demi për lajmi.net.