Ekskluzive: Ja si po rrezikohet trashëgimia qindravjeçare në Muzeun e Kosovës (Video)

Eksponate të pa ekspozueshme më parë për publikun, madje ato vazhdojnë të qëndrojnë në depon e Muzeut të Kosovës, aty ku pak herë futet dikush.

ShowBiz

23/01/2017 15:04

Depoja e Muzeut të Kosovës, ku ruhen mijëra eksponate të trashëgimisë kulturore të Kosovës, është në gjendje të mjerueshme, shkruan lajmi.net.

Kjo gjendje, shihet që në hyrje të saj e cila gjendet në podrumin e ndërtesës së Muzeut.

“Kujdes, ecni veç drejt”, thotë njëri nga zyrtarët, i cili në fund të një korridori të gjatë pa drita, i ndezë siguresat elektrike.

Eksponatet janë të vendosura nëpër kuti prej kartoni. Secila prej tyre e ka nga një mbishkrim për lokacionin dhe vitin kur janë zbuluar, por nuk kanë asnjë të dhënë tjetër.

Kur pyetet se çfarë janë të gjitha këto, drejtori nis të flas për historinë e ndërtimit të Muzeut.

Njëra nga dhomat e depos, është e mbushur me eshtra të njerëzve, të cilat janë gjetur nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë. Madje disa nga to, datojnë që nga vitet e 70-ta apo 80-ta.

Por megjithatë, kur drejtori u pyet se a është bërë ndonjë studim më i thellë i tyre, ai u përgjigj “Mjafton kaq”.

Duke pasur parasysh natyrën organike të trupit të njeriut, duhet të ndërmerren hapa tepër të veçantë për të ndaluar procesin e përkeqësimit të eshtrave, dhe për të ruajtur integritetin e gjendjes së tyre.

Drejtori i Muzeut, Skender Boshtrakaj, bëri të ditur që kushtet në depo janë të këqija, madje tregoi se përpos që ka lagështi, ka pasur raste kur edhe shiu ka hyrë brenda.

Brenda në depo nuk ka ventilim, madje as nuk ka pajisje që mundësojnë kushte adekuate për eksponatet që janë brenda.

Në anën tjetër, kushtet e tilla çojnë në rritjen e kërpudhave në eshtrat e njeriut, e cila konsiderohet si një nga rreziqet më të mëdha.

Në njërën nga dhomat ku ruhen eksponatet prej bakri, mbi një sënduk druri gjendej një maskë e cila vendoset në gojë për ta ruajtur organizmin nga ajri i ndotur.

Drejtori i Muzeut e pranoi se ambienti i depos është shumë i dëmshëm për shëndetin e zyrtarëve dhe punëtorëve, por thotë se ata nuk punojnë në të. Ai pohon se nuk do të lejoj që punonjësit e Muzeut të sëmuren dhe thotë se çdo hyrje e dalje në podrum kontrollohet nga ai.

“Për me bo çdo intervenim brenda në depo, nuk mund të futet çdo punëtor që është në Muze, për me hy një mjeshtër brenda, duhet të largohen eksponatet. Kështu që aty nuk mund të krijohet një situatë e intervenimit të një kompanie, e aq më pak një kompanie tonë”, tha ai.

Boshtrakaj po ashtu e pranon se në këto kushte që gjendet sot podrumi i Muzeut, dëmtohen edhe eksponatet qindra vjeçare.

Por fillimisht përgjegjësinë për këtë nuk i pëlqen fare ta pranoj si drejtor. Në momentin që i bëhet pyetja nëse eksponatet dëmtohen, ai acarohet dhe kërkon që biseda të ndalet, madje edhe fillon me akuza.

“Këto janë pyetje idiote dhe ju po luani rolin e prokurorit. A keni ardhë me ndonjë agjendë këtu”, hamendëson ai, derisa kërkon që ekipi i lajmi.net të dal jashtë nga depo.

Kështu u bë e pamundur të vizitohen të gjitha pikat brenda, edhe ato pjesë ku konsiderohen më të dëmtuara.

Meqë ai kishte pranuar që depoja të filmohej, Boshtrakaj e shpërqendron bisedën nga çështjet profesionale, duke krijuar komplikime fjalësh e tek më pastaj fillon të tërhiqet nga akuzat dhe e pranon se eksponatet dëmtohen nga kushtet e depos.

Ai ka deklaruar se ka kërkuar nga Ministria e Kulturës që kjo depo të rinovohet, por thotë se fillimisht kërkon që të vendosen kamera në mënyrë që të ketë siguri për eksponatet gjatë punimeve.

Madje renovimet që duhet të bëhen në Muzeun e Kosovës, ai i krahason me autostradë.

“Ministria e madje edhe Qeveria, duhet me pas parasysh edhe Muzeun e Kosovës, ashtu qysh ka vendos për Autostrada, po duam me pas një autostradë më të mirën në rajon?  edhe të tillë e kemi, pasi janë ndërmarrë hapa”.

“Kjo mundet me ndodh edhe me Muzeun e Kosovës, duhet të kemi mbështetje edhe nga Ministria, kemi nevojë për mbështetje serioze dhe këtu kemi të bëjmë më shifra milionëshe ku gjërat duhet të vendosen një herë e për një kohë të gjatë me një standard të shekullit 21. E kjo nuk bëhet me njerëz që mezi kanë kryer shkollën e mesme, e me persona që i kemi gjetur në muze e tash duhet të rrinë këtu me u penzionu”, vazhdoi ai.

Por këtë kërkesë të tij për rinovim, e ka demantuar Drejtoresha për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës.

Vjollca Aliu, thotë se Muzeu i Kosovës i është nënshtruar procesit të renovimit, madje thotë se irritohet nga fakti kur thuhet se Ministria e Kulturës nuk ndërmerr hapa për rregullimin e depos, por mundësia për tu futur brenda dhe për të bërë ndryshime thelbësore është e pamundur.

Aliu thotë se Muzeu i Kosovës nuk ka pësuar renovim të mirëfilltë për më shumë se katër dekada, madje renovimi kërkohet të bëhet në të njëjtën kohë kur edhe mbahen aktivitete të ndryshme, gjë që sipas saj është e pamundur.

“Nuk është që Ministria e Kulturës nuk ka marrë  hap për renovimin e depos, por vitin e kaluar kjo fazë nuk ka qenë e paraparë, projekti është i hartuar për renovim të depos, normalisht ku edhe do të zhvillohet projekti i laboratorit brenda në Muze për konservim dhe restaurim”, tha ajo.

“Nuk e pranoj të thuhet që Ministria e Kulturës nuk ka marrë hapa për ta funksionalizuar depon e Muzeut. Në mandatin e Ministrisë është kusht të krijohen kushtet në Muze dhe t’i miratohen kërkesat, dhe pritet shpejt të hapet një ekspozitë për t’i parë këto eksponate, dhe të rinovohet depo”.

Ndërkaq kur ajo u pyet për dëmtimet e eksponateve të ndryshme që po bëhen brenda në depo, si shkas i lagështisë dhe kushteve të këqija, ndërkaq masa vazhdojnë të mos merren, ajo tha se nuk mund të konstatojë një gjë të tillë, madje gjendja e depos në Muze asnjëherë nuk ka qenë alarmante.

“Për sa i përket dëmtimeve të artefakteve nuk kam informacione, madje nuk mund të konstatoj një gjë të tillë sepse nuk kam raport nga drejtori i Muzeut, nuk po them që gjendja aty është e mirë, por nuk kam marr alarm për një gjë të tillë”.

E derisa zyrtarët ia hedhin fajin njëri-tjetrit, trashëgimia kulturore e Kosovës po dëmtohet në vendin ku në fakt duhet ruajtur. /Lajmi.net/