Ekskluzive: Isa Mustafa dhe Skënder Hyseni ishin në dijeni për shtyrjen e votimit në Interpol (Dokument)

Ministria e Punëve të Brendshme e drejtuar nga ish-ministri, Skënder Hyseni, dhe zyra e ish-kryeministrit, Isa Mustafa, kanë qenë të informuar nëpërmjet një raporti me shkrim, me kohë dhe me të gjitha detajet, si dhe skenarët e mundshëm në lidhje me procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL.

Lajme

23/09/2017 19:32

Lajmi.net e ka siguruar edhe raportin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, përmes të cilit edhe ish kryeministrit Mustafa dhe ish ministrit Hysenit i ishte bërë me dije nga shtetet aleate dhe partnere se për këtë vit, Kosova nuk duhet të synojë anëtarësimin në INTERPOL.

Sipas këtyre burimeve të lajmi.net “para se të merrej vendimi për shtyrje të votimi, ishte vet Qeveria Amerikane ajo që kishte kërkuar zyrtarisht shtyrje të votimeve të INTERPOL-it.

Ish-kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme thuhet se “kanë qenë në dijeni për të shtyrë votimin, por, nuk e kishin marrë një vendim të tillë, me të vetmin qëllim që t’i lënë ‘pataten e nxehtë’, Qeverisë së Re”.

Me këtë veprim, mendohet se ish-ministri Hyseni kishte rrezikuar seriozisht interesin e Kosovës.

Siç e tregon edhe raporti zyrtar, i cili i ishte dorëzuar ish-kryeministrit dhe ish-ministrit të Brendshëm, “një dështim eventual në INTERPOL dhe të qenit në bllok me Autoritetin Palestinez, do të kishte dëmtuar seriozisht pozicionin ndërkombëtarë të Kosovës”.

Sipas këtij raporti, “disa shtete hezitonin të votonin për Kosovën për shkak të të qenit në të njëjtin proces votimi me Autoritetin Palestinez.”

Vendimi për shtyrje të votimit, sipas të njëjtave burime është bërë pas demarshit nga vendet e Kuintit tek kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe ministri i Brendshëm Flamur Sefaj.

Shtyrja vlerësohet se nuk e dëmton aplikacionin e Kosovës në INTERPOL, por, tregon koordinim të ngushtë të politikës së jashtme me atë të vendeve të Kuintit.

Burimet tregojnë se “ka pasur presione për ndryshim të këtij raporti nga Zyra e ish-Kryeministrit dhe ish-Ministrit të Punëve të Brendshme”.

Veç kësaj, thuhet se Ministria e Punëve të Jashtme kishte kërkuar një listë të detajuar se me cilat vende MPB ka konfirmuar votat, por, një listë e tillë në kohën e ish-Ministrit Hyseni asnjëherë nuk është dorëzuar.

Ndërkaq sot, ish ministri Hyseni përmes një konference për media tha se nuk e ka të qartë se pse kryeministri Haradinaj ka kërkuar tërheqjen e Kosovës nga votimi, duke shtuar se Kosova i kishte votat. /Lajmi.net/