Ekskluzive: Fakte që dëshmojnë se Kosova s’ka humbur tokë në demarkacionin me Malin e Zi (Dokument)

Rugovasit dhe banorët e zonës kufitare me Malin e Zi nga komuna e Pejës, Istogut dhe Deçanit, duket se viteve të kaluara ishin të vetëdijshëm se tokat që tash po deklarojnë se i kanë humbur me marrëveshjen ndërshtetërore, nuk ishin pronë e tyre. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, këta banorë janë duke përmendur shifra kontradiktore rreth tokës që, sipas tyre, kanë humbur me vendosjen e kufirit shtetëror.

Lajme

12/09/2015 13:36

Lajmi.net ka siguruar një korrespodencë zyrtare të viteve të kaluara, ku po këta banorë, më 1 mars 2009, pasi që kishte nisur puna rreth vendosjes së demarkacionit me Malin e Zi, i ishin drejtuar me një shkresë zyrtare të nënshkruar prej 77 kryefamiljarëve të fshatrave Dubovik, Kryshec dhe Rashiq edhe vet kryetarit të komunës së Rozhajës në Malin e Zi, Nusret Kalaqit, duke e njohur atë si autoritet relevant mbi pronat që ata tash po thonë se i kanë humbur. Në këtë shkresë zyrtare, banorët e vijës kufitare, kishin kërkuar nga kryetari i Rozhajës që t’u lejohej shfrytëzimi i stanishtës dhe bjeshkës së Dubovikut në Ishtedim dhe Zhlep vetëm për kullosa, transmeton lajmi.net.

Po këta banorë të vijës kufitare, më 6 qershor 2013, i ishin drejtuar me një shkresë zyrtare edhe Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor në legjislaturën e kaluar. Nga ky komision ata kërkonin që çështjen e shfrytëzimit të kullosave në territorin e Malit të Zi ta ngrisnin për diskutim në nivele qeveritare, që atyre t’i lejohej shfrytëzimi i tyre. “Kërkesa jonë është të na mundësohet lejimi i daljes në bjeshkë, vetëm për shfrytëzimin e kullosave”, thuhet në shkresën e banorëve, raporton lajmi.net, sipas të cilëve, autoritetet e Malit të Zi iu kishin thënë se duhet të ketë marrëveshje ndërqeveritare për shfrytëzimin e tyre. Në këtë shkresë, banorët thonë se ka dëshmi të shumta që i kanë blerë dhe kanë paguar taksa për shfrytëzimin e kullosave në komunën e Rozhajës, që nënkupton se ishin të vetëdijshëm se ajo tokë nuk është e Kosovës.

Ky komision pastaj, më 12 qershor 2013, po të njëjtën kërkesë të këtyre banorëve për shfrytëzim vetëm të kullosave, ia kishte përcjellë Ministrit të Punëve të Brendshme, atij të Drejtësisë dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas ekspertëve juridik, e drejta pronësore nuk përcakton kufij, por vetëm hartat kadastrale administrative. Ndërsa, lajmi.net mëson se Ministritë e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Malit të Zi kanë marrëveshje edhe për shfrytëzimin e pronave dhe banorët e vijës kufitare mund të futen në pronat e tyre në Rozhajë edhe pa u futur nga pikat kufitare. /lajmi.net

Dokumentin mund ta hapni duke klikuar KËTU