Ekonomistët kritikojnë paralajmërimin e qeverisë për mos rishkrim të buxhetit

Paralajmërimet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës për mos rishikim të Buxhetit, njohës të ekonomisë janë duke e parë si të rrezikshëm dhe me ndikime buxhetor për shkak se ka pasur rritje të shpenzimeve nga vendimi për rritjen e pagave.

Lajme

10/07/2018 09:16

Sipas tyre rritja e shpenzimeve duhet të balancohet në Buxhetin Qendror të vendit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, në një përgjigje për Telegrafin ka konfirmuar se nuk do të ketë rishikim të buxhetit për vitin 2018.

Sipas Shahinit, rritja e shpenzimeve për paga do të bëhen sipas Ligjit të Buxhetit.

“Ashtu siç ka theksuar edhe në Kuvendin e Kosovës nga ministri i Financave, Bedri Hamza, nuk do të ketë rishikim të Buxhetit. Ndërsa sa i përket pagesave do të veprohet në bazë të Ligjit të Buxhetit. Kurse për pagesat shtesë sipas vendimeve të Qeverisë, veprohet sipas Nenit 16 të Ligjit të Buxhetit ku jepet mundësia që të ketë lëvizje në buxhet në masën prej 5 për qind”, tha për Telegrafin, Shahini.

Gjatë tremujorit të fundit të këtij viti, sipas tij, do të bëhen harmonizime për t’i adresuar obligimet e parapara me ligj.

“Gjithashtu, do të shihet mundësia që në tremujorin e fundit të vitit të gjenden kursime dhe të bëhen harmonizime aty ku është e mundshme për të adresuar obligimet, në përputhje me Ligjin e Buxhetit dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini.

Neni i 16-të, pika 2 i Ligjit të Buxhetit thotë se kur organizata buxhetore ka nën shpenzim krahasuar me planin e rrjedhës së parave të dorëzuar në Thesar, ministri mundet gjatë tre mujorit të fundit të vitit financiar me aprovimin paraprak nga Qeveria, të autorizoj shkurtimin e ndarjes buxhetore për të gjitha kategoritë e shpenzimeve të asaj organizate buxhetore, shkruan Telegrafi.

Sipas këtij neni, këto mjete nuk mund të transferohen për projekte të reja kapitale dhe se vlera e përgjithshme e të gjitha këtyre transfereve nuk duhet të tejkaloj 5 për qind të vlerës totale të të gjitha ndarjeve buxhetore duke përjashtuar të gjitha ndryshimet e ndarjeve buxhetore të ndodhura deri më 30 shtator të vitit fiskal.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, ka thënë për Telegrafin se mosrishikimi do të ketë ndikime buxhetore.

“Për vet faktin se nuk ka rishikim buxhetor dhe ka ngritje të pagave, kjo tregon se diçka nuk është në rregull. Rritja e pagave do të kenë ndikime buxhetore dhe këto ndikime nuk kanë qenë të planifikuara në fillim të vitit, prandaj është dashur të bëhet rishikimi i buxhetit për ketë vit”, tha ai.

Sipas Ramosajt, deputetet deri tash është dashur të shikojnë se përse nuk do të ketë rishikim të buxhetit.

“Deputetet e Kuvendit të Kosovës, duhet ta shikojnë sesi ka ardhur deri në këtë fazë, në aspektin e realizimit të projekteve, sa janë bërë shpenzime dhe respektivisht sa janë harxhuar në kuadër të të hyrave buxhetore”, ka thënë profesori Berim Ramosaj.

Ndryshe, rishikimi i buxhetit zakonisht bëhet në muajin korrik dhe ka për qëllim përshtatjen e buxhetit varësisht sesi ka rrjedhur dinamika e grumbullimit të të hyrave dhe shpenzimit të mjeteve buxhetore.

Në të kaluarën ka ndodhur edhe një rast kur nuk ka pasur rishikim të buxhetit, e ai ka qenë viti 2012, kur në koalicion ishin PDK-AKR-minoritetet.